Albania

Mos iu prekni dashurinë! (II)

Është një video në internet ku “Oj Kosovo, Kosovo…” këndohet para mijëra fëmijëve serbë që, me lot në sy e të ngashëryer gjer në delirium, i këndojnë humbjes së Kosovës, të cilën ia kanë grabitur “egërsirat shqiptare-myslimane” dhe japin betimin para Kishës serbe e para gjakut të Dushanëve e Lazarëve mesjetarë. Madje, madje se një ditë, do të armatosen gjer në dhëmbë për ta kthyer Kosovën e tyre, “zemrën e tyre të dashur”, dhe për t’i dëbuar që nga aty “morracët shqiptarë, gjysëm-kafshët me bishta”.

Në një video tjetër, një mësues serb mëson nxënësit e tij të klasës së katërt fillore që, ndërsa entuziazmohen me tre gishta lart (“tri prsta”), në orë mësimi ta këndojnë këtë këngë nacionaliste…

»Fshatarë e punëtorë të varfër u mobilizuan dhe u nisën nga fashizmi për në fronte lufte, prej Abisinisë e në Madrid, “si mashë për ta kapur gaca”.« Fitim Salihu

»Fshatarë e punëtorë të varfër u mobilizuan dhe u nisën nga fashizmi për në fronte lufte, prej Abisinisë e në Madrid, “si mashë për ta kapur gaca”.« Fitim Salihu

V. — Por, fatmirësisht, jo secili serb është bërë viktimë e indoktrinimit nacionalist serbomadh. Një poet serb, i riu Tomislav Markoviqi, të cilin pata rast vitin e kaluar ta takoj edhe personalisht në Beograd, ka një poezi shumë të bukur të titulluar “Srpska duhovnost” (Shpirtësia serbe). Në këtë poezi, Markoviqi, qesëndis mitet fetare e nacionaliste serbe. Ja shpotia: “Shpirtësia serbe është autobus që i bart të burgosurit për t’i ekzekutuar në Potoçar. Është kamion frigorifer cit më cit me kufoma shqiptare. Tren, i ndaluar në Shtërpcë. Buldozer që zhvendos mbetjet e trupave njerëzor…” Apo në një strofë tjetër: ”Shpirtësia serbe ka detyruar babë e bir të masturbojnë. Në emër t’Atit e t’Birit e t’Shpirtit të Shenjtë. Sepse Zoti është serb. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë.”

Për këtë ironi tallëse ndaj miteve të sendërtuara thellë-thellë në memorien kolektive të kombit serb, Tomislavi, por edhe shumë Tomislavë të tjerë përparimtarë e antifashistë serbë, shpesh linçohen e sulmohen prej elitave nacionaliste dhe prej bandave neofashiste të huliganëve serbë. Por, ata vazhdojnë rrugën e gjatë e të vështirë kah e vërteta, sado që duhet të shkelin mbi kallot sensitive të tabuve dhe “Denkverbot”-it të mitit serb.

VI. “Babai im i dashur…” Kështu nis letra që një djalosh i vogël italian ia nis babait të tij ushtar, që fashizmi musolinian e kishte dërguar, si mish për top, për të luftuar përkrah forcave reaksionare të diktatorit Franko kundër Republikës dhe forcave përparimtare majtiste në Luftën Civile të Spanjës. Është ngjarje fiktive, e marrë nga romani i famshëm i Petro Markos, “Hasta la Vista”. Gjer më këtu, asgjë e re. Normale tingëllon edhe mënyra se si një djalosh i vogël nis letrën për babanë e tij që nuk e ka parë ngaherë. Por fundi i letrës është interesant: “… edhe shoku im, Pipo, të bën të fala dhe thotë, kur të kthehesh do të na tregosh se sa toka pushtuat për Perandorinë tonë! Vërtet babi kini zaptuar toka të reja e të pasura për ne?…”

Është letërsi, ama letërsi e bazuar në realitet. Kësisoj indoktrinohej me fashizëm dekada më parë rinia italiane prej regjimit të Musolinit. Ëndrra për t’i kthyer tokat e Perandorisë Romake në shekullin XX përfundoi në katrahurë – para së gjithash – për popullin e thjeshtë italian. Fshatarë e punëtorë të varfër u mobilizuan dhe u nisën nga fashizmi për në fronte lufte, prej Abisinisë e në Madrid, “si mashë për ta kapur gaca”.

Histori të tilla lebetitëse nuk mbarojnë këtu. Grabitja e fëmijëve indigjenë në ShBA dhe aborigjenëve në Australi për t’i rritur e edukuar si të bardhë e si lojalë, vrasja e miliona indianëve në ShBA, racizmi në ShBA gjer në vitet ’60, por me gjurmë edhe të sotme (kujtojmë ngjarjet e Fergusonit); segregacioni në Afrikën e Jugut gjer në vitet ’90, kolonializmi gjenocidial i spanjollëve, portugezëve, britanikëve (por sidomos i belgëve në Kongo dhe gjermanëve në Afrikë); nazizmi i Hitlerit dhe Holokausti ndaj miliona çifutëve, shtrirja e “Lebensraum”-it gjerman drejt lindjes… e shumë histori të tilla të turpshme për njerëzimin janë mësim i artë se si nuk duhet të lozim me nacionalzmin e racizmin sepse ndjell miliona viktima të pafajshme.

VII.  — Por, a mund të harrohemi ne shqiptarët? Si mund të harrohet qasja raciste ndaj minoritetit rom që pezhorativisht mësohemi prej të vegjël t’i quajmë “maxhupë”, “ciganë” apo “çergarë”. Që si fëmijë, neve na frikësojnë me fjalën “shu’j se vjen maxhupi e të han”, njëjtë si me frikësimin që na bëhet me figurat mitologjike si “bajlozi”, “gogoli” ose “babaroga”. Ashtu edhe rritemi. Me zell protoracist. Me urrejtje ndaj tjetrit. Dhe investohet në ne që një ditë potencialisht të bëhemi projektues apo ekzekutues të pogromeve raciste. Fatkeqësisht!

Njëjtë, në klasë të parë, mësojmë një himn kombëtar. Brenda këtij himni është një strofë jo fort e lakmueshme, për të mos thënë protofashiste. Këtë tematikë e ka shtjelluar para disa viteve edhe Kadareja tek sprova e vet letrare, “Mosmarrëveshja”. “Se Zoti vetë e tha me gojë, se kombet shuhen përmbi dhé. Por Shqipëria do të rrojë. Për të, për të luftojmë ne.” Ky është vargu që asnjëri prej nesh nuk ndihet rehat kur e reciton. Ç’është ky kumt që thotë se si Zoti paska përzgjedhur vetëm shqiptarët të jetojnë, ndërkohë që kombet e tjera do të shuhen?! A është ky diskurs po aq biblik që i autoprojekton shqiptarët si “popull i zgjedhur” me mision nga Zoti, po sikurse diskursi nacionalist serbomadh? Fat i mirë që ky varg nuk intonohet zyrtarisht kur intonohet Himni i Flamurit, por që në klasat e para fillore, kur mësojmë vjershën e Asdrenit, që më pas u bë teksti i Himnit, mësojmë përmendsh dhe e recitojmë edhe këtë varg ku, me gjeste madhështore e duar nga qielli, bindshëm rrëfejmë se kombet do të zhduken… përveç nesh.

VIII. — Por, do të ishte mëkat të barazonim nacionalizmin shqiptar me atë serb. Mbase sepse nuk e pati asnjëherë në histori fuqinë politike për të “zhdukur kombe mbi dhé”. Por, nacionalizmi serb, nuk duhet harruar, ishte ai që, sikurse gjatë luftërave ballkanike më 1912-1913, sikurse gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe sikurse gjatë luftërave të viteve ’90, me program të qartë shovinist – që nga “Naçertania” e gjer tek “Libri i Kaltër” – dhe me bekimin e Kishës Ortodokse Serbe, kishte kryer shfarosje etnike ndaj shqiptarëve, kroatëve e boshnjakëve.

Por, kjo nuk nënkupton që elementet, sado latente qofshin, të racizmit ndër ne, s’duhet zhbërë sa më parë. Një “mala fide” si kjo do t’i kushtonte më së shtrenjti vetë shqiptarëve. A s’kemi ne shembuj të internacionalizmit antifashit e antiracist? Po, kemi. Kemi shembullin e gjallë të Asim Vokshit nga Gjakova e Xhemal Kadës nga Peja, që në rini të tyre, morën rrugën e gjatë drejt Spanjës për të luftuar përkrah forcave progresive majtiste në mbrojtje të Republikës prej bishës fashiste të falangistëve të Frankos, agresionit nazifashist të Gjermanisë së Hitlerit dhe Italisë së Musolinit. Asimi dhe Xhemali dhanë jetën për lirinë e popullit spanjoll dhe treguan shpirtin internacionalist, i treguan botës se si dy shqiptarë të rinj, jo vetëm që nuk urrejnë e nënçmojnë racat e kombet e tjera por luftojnë e vdesin për lirinë e tyre. Asimi e Xhemali janë shembëlltyra dhe fryma ku duhet rritur brezat e rinj, janë mosprekja e lumturisë së fëmijëve, janë mosindoktrinimi i tyre me dogma fashiste.

Prandaj, mos iu prekni lumturinë! Mos i rritni fëmijët si Hitlera e Drazha të nesërm. Le të rriten si Asima e Xhemala.


penaime.com

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s