Culture/Art

Mos iu prekni dashurinë!

I — “Mos ua prishni lumturinë! Mos iu prekni dashurinë!” Këto janë dy vargje nga kënga e njohur e Parashqevi Simakut, “E duam lumturinë!”, në tekstin e së cilës këngë, tekstshkruesi Agim Doçi, ndër të tjera reciton: “Të gjitha do i dhuroja kaq të lumtur t’i shikoja dhe fëmijët e gjithë globit anembanë.”

A ishin fëmijët e kohës së Enverit aq të lumtur sa t’ia uroje atë lumturi të gjithë fëmijëve të botës? Padyshim që jo. Por, ajo që dua të vë në spikamë është mesazhi universal që bartë kjo këngë e bukur. Lumturi e dashuri për fëmijët e të gjithë globit: pa dallim kombi, race a feje. Fëmijë të vegjël që rriten e edukohen me vlera universale e emancipuese. Me frymën e antifazhizmit, antinacionalizmit e antiracizmit. 

II — Rejçëll, vajza e vogël e Gerit, një prej krerëve të grupacionit neonazist “The Order” (Rendi) në Miduestin amerikan të fillimviteve ’80-ta, i thotë Ketrinës (që e luan Debra Uingër) se do t’ia thotë një sekret, ndonëse babai i kishte thënë se sekretet mbeten mes tyre. Bëhet fjalë për një skenë nga filmit “Betrayed” (Tradhtuar) të realizuar më 1988 nga regjisori i njohur greko-francez, Kosta Gavras, film në të cilin autori, përmes personazhit të Geri Simonsit (luajtur nga Tom Berenxhër), tregon historinë e vërtetë të Robert Methjusit, një prej krerëve të “Rendit”, një organizatë raciste të afërt me “Ku Kluks Klanin”.

Por, cili ishte sekreti i bijës së tij, Rejçëllit të vogël? “Rabinët hebraikë janë të gërditshëm me mjekra morrace. Çifutët janë bijtë e Kainit. Zezakët e bëjnë nga prapa dhe asisoj ua bëjnë fëmijëve, po ashtu. Ne jemi të mirë. Kur të rritemi do t’i vrasim të gjithë zezakët dhe çifutët qelbanikë dhe kësisoj, çdo gjë do të jetë në rregull.” E tmerruar, Ketrina – një agjente e infiltruar si gruaja e Gerit për të zbuluar grupin racist – e këshillon Rejçëllin e se si nuk duhet lënduar të tjerët, se si këto gjëra nuk janë të vërteta dhe se si zezakët janë njerëz të mirë, e jo si i përshkruan ajo, nën indoktrinimin e të atit.

Në një nga skenat e mëvonshme, në kampingun që organizon “Rendi” në një mal të bukur, ku kryejnë procesionet dhe stërvitjet për t’u bërë një sekt i indoktrinuar dhe një njësi paramilitare antizezake, në hyrje të kampit të bie në sy parulla “Raca e bardhë është specie në rrezik”. Në këtë frymë edukohen të rinjtë. Iu ndjellin urrejtje ndaj zezakëve dhe çifutëve. Fajin për varfërinë dhe stagnimin ekonomik ia lënë zezakëve dhe çifutëve. Përgatisin të rinjtë për t’i luftuar “zgjebanikët” çifutë e zezakë.

III — Drazha Mihajloviqi, komandanti i çetnikëve në Luftën e Dytë Botërore, kishte si program politik krijimin e Serbisë së Madhe dhe zhdukjen apo dëbimin e të gjithë minoriteteve që jetonin brenda atyre kufijve: shqiptarëve, boshnjakëve, kroatëve, romëve. Për të realizuar këtë synim, Drazha çetnik ishte i gatshëm të bashkëpunonte edhe me okupatorët italianë e gjermanë për të realizuar synimet e tij shoviniste. Një pjesë e madhe e popullit serb “i bleu” andrrallat e tij dhe iu rreshtuan prapa.

Por, vetë fëmijët e tij nuk iu bashkuan. I biri i tij, Brankoja, u rreshtua me partizanët dhe komunistët që ia luftonin babën, edhe ai kishte vendosur të luftonte për lirinë e barazinë e të gjithë popujve dhe ishte kundër nacionalizmit e fashizmit serb që e proklamonte i ati. Vajza e tij, Gordana, gjithashtu u bashku me ilegalen urbane komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe teksa po lindte agimi i lirisë, kur Beogradi po çlirohej prej nazifashistëve, ajo, në një prononcim për radio, dënoi politikën nacionaliste të babait të tij, dënoi krimet e tij ndaj shqiptarëve, boshnjakëve e kroatëve dhe u pozicionua qartë për barazinë e popujve. (Por, ju e dini, s’është nevoja ta rikujtojmë që utopia e barazisë së kombeve nuk u realizua as në Jugosllavinë socialiste.)

E keqja është se trashëgimia e tmerrshme e lemeritëse e Drazhës u ringjall gjatë luftërave nacionaliste të Serbisë gjatë viteve ’90. Përkundër reagimit të Kroacisë e Bosnjës, Serbia i rehabilitoi politikisht Drazhën dhe çetnikët e tij fashistë. Edhe fëmijët serbë nëpër libra shkollore filluan të mësojnë për Drazhën si për një hero, kurse për politikën e tij shfarosëse dhe urrejtjen ndaj kombeve tjera mësuan si për një “mision të shenjtë biblik” që Zoti ia kishte ngarkuar serbëve, si “popull i zgjedhur” që ishin, për t’u bërë barrikadë përballë ekspansionit të “hordhive islame”: turqve, boshnjakëve e shqiptarëve.

IV — “Srbadija kliče cela “Ne damo te Kosovo”. To je naše uvek bilo od davnina ostalo. Oj Kosovo, Kosovo zemljo moja voljena. Zemljo slavnih vitezova Lazara i Miloša!” (Të gjithë serbët brohorasin: “Nuk të japim, Kosovë”. Gjithmonë ke qenë jona, që prej mot na kanë lënë. Oj Kosovë, Kosovë, zemra jonë e dashur. Toka e princërve të lavdishëm Lazar dhe Milosh.)

Ky është teksti i një kënge që fëmijët serbë e këndojnë rregullisht në fillim të shkollës fillore. Është baladë për “tokën e premtuar”. Është farë që mbillet në zemrat dhe mendjet e njoma e të pafajshme të fëmijëve serbë. Është garancia që hija e tmerrshme e nacionalizmit në Ballkan, e fryrë sidomos nga politika shoviniste e ekspansioniste serbe, ka për t’i ndjekur për shumë kohë këto anë të nëmura sa për të luftuar për mitet e përrallat mesjetare.

Është një video në internet ku “Oj Kosovo, Kosovo…” këndohet para mijëra fëmijëve serbë që, me lot në sy e të ngashëryer gjer në delirium, i këndojnë humbjes së Kosovës, të cilën ia kanë grabitur “egërsirat shqiptare-myslimane” dhe japin betimin para Kishës serbe e para gjakut të Dushanëve e Lazarëve mesjetarë. Madje, madje se një ditë, do të armatosen gjer në dhëmbë për ta kthyer Kosovën e tyre, “zemrën e tyre të dashur”, dhe për t’i dëbuar që nga aty “morracët shqiptarë, gjysëm-kafshët me bishta”. Në një video tjetër, një mësues serb mëson nxënësit e tij të klasës së katërt fillore që, ndërsa entuziazmohen me tre gishta lart (“tri prsta”), në orë mësimi ta këndojnë këtë këngë nacionaliste… (vazhdon).



penaime.com

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s