Analysis

Përralla me Haradinajn dhe Thaçin

»Në prag të pranverës së vitit 2014, Hashim Thaçit po i duheshin votat e opozitës për ta shpërbërë Kuvendin. Pos LDK-së – e njohur për gatishmërinë e saj finoke – edhe AAK-ja e Haradinajt i dha votat për kërkesën e Thaçit.« Fitim Salihu

»Në prag të pranverës së vitit 2014, Hashim Thaçit po i duheshin votat e opozitës për ta shpërbërë Kuvendin. Pos LDK-së – e njohur për gatishmërinë e saj finoke – edhe AAK-ja e Haradinajt i dha votat për kërkesën e Thaçit.« Fitim Salihu

Me opozitarë si Haradinaj, Thaçi do ta ketë jetëgjatë pushtetin vet. Ramush Haradinaj gjer më tani i ka dhënë së paku pesë shenja që alarmet e tij kundër Thaçit janë rrengje shakatare dhe se ai është në gjendje t’i bashkohet Thaçit sapo ky i fundit ta pranojë “në gjirin e vet”. A do t’i besojnë njerëzit sërish alarmit të Haradinajt se tani do të jetë “The Final Countdown” kundër Thaçit dhe se më nuk do të lajkatojë me Thaçin?

I

Një bari për çdo ditë i dërgonte delet në kullotë. I vetmuar vetëm me delet, ai mërzitej pa shoqëri nga askush. Kështu që vendosi t’i gënjente bashkëfshatarët. Filloi të bërtas “ujku, ujku, ndihmë!” Fshatarët e alarmuar erdhën ta ndihmonin, por ai po qeshte me shakanë e vet. Fshatarët u dëshpëruan nga ky rreng dhe e paralajmëruan se më nuk do t’i besonin. Kaluan disa ditë dhe bariu u mërzit sërish dhe sërish bëri të njëjtën shaka. Sërish fshati u alarmua dhe sërish u dëshpëruan nga rrengu i bariut.

Por një ditë ujku erdhi me të vërtetë. Bariu filloi të bërtiste “ujku, ujku, ndihmë!” Fshatarët, paçka që e dëgjuan, nuk lëvizën vendit, të bindur se ishte një rreng i radhës. Ujku ia shqeu gjithë bagëtitë dhe ai e kuptoi se po i vuante pasojat e alarmeve të rrejshme, i dënuar të mbes i vetëm dhe pa përkrahje.

II

Ramush Haradinaj u prit në nëntor 2012, teksa po kthehej i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, në Aeroportin e Prishtinës nga kryeministri i asokohshëm, Hashim Thaçi. Pritja nuk ishte e çfarëdoshme, por një pritje ceremoniale me plot nderime. Në ditët në vijim ishte sekret publik që Thaçi e Haradinaj po planifikonin të hynin në bashkëqeverisje, ndonëse për muaj të tërë partia e këtij të fundit, AAK-ja, kishte qenë shumë e zëshme në kritikat ndaj qeverisjes së Thaçit dhe PDK-së. Thaçi e mashtroi Haradinajn e ky i fundit u kthye nga populli, duke i alarmuar se Thaçi e mashtroi dhe se qeverisë së tij duhet dhënë fund sa më parë.

Për më shumë se një vit AAK-ja e Haradinajt e pati Blerim Shalën si përfaqësues të saj në negociatat me Serbinë dhe në prill 2013 kishte votuar për “marrëveshjen mëmë” të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Tani po jep alarmin se Thaçi po bën marrëveshje antikombëtare e antikushtetuese.

Në prag të pranverës së vitit 2014, Hashim Thaçit po i duheshin votat e opozitës për ta shpërbërë Kuvendin. Pos LDK-së – e njohur për gatishmërinë e saj finoke – edhe AAK-ja e Haradinajt i dha votat për kërkesën e Thaçit. Para kësaj ngjarje dhe pas kësaj ngjarje, në ditët e fushatës zgjedhore, Haradinaj alarmonte popullin se si Thaçi kishte keq-qeverisur mes korrupsionit e nepotizmit.

Për gjashtë muaj, AAK-ja e Haradinajt ishte bërë pjesë bllokut opozitar “VLAN”, duke u zotuar se asnjëra parti nuk do të qeveriste më me Thaçin. Jo vetëm që LDK-ja më pas pranoi të qeveriste me të, por, sipas akuzave nga “Vetëvendosje!”, edhe vetë AAK e Haradinajt kishte filluar që të përgatitej për një koalicion me Thaçin. Sërish paska lëshuar alarm të rrejshëm…

Ditëve të fundit, teksa dukej më në fund se blloku opozitar ishte i pathyeshëm e unik, Ramush Haradinaj, i vetmi nga tre liderët, pranoi të shkonte në tryezë të përbashkët me Thaçin e Mustafën dhe sërish përflitet për një marrëveshje eventuale me Thaçin për bashkëqeverisje.

Por, me tërë këto salto e rrengje, a do të besojnë njerëzit që Haradinaj e ka seriozisht kundër Thaçit apo kemi të bëjmë me një rreng të radhës para rehatimit “në gjirin e Thaçit”?

III

Gjatë dinastive feudale kineze, mbretërit ishin zotër absolutë me pushtet të pakufizuar, gjë që shpeshherë i shpinte ata në shthurje. Siç na tregon një legjendë kineze, i tillë ishte dhe mbreti Ju i dinastisë Zhu. Ai ishte shumë i dhënë pas femrave të “haremit” të tij, posaçërisht pas konkubinës së bukur, Bao Si. Asaj i blinte shumë rrobe të shtrenjta e bizhuteri përrallore, por ajo nuk qeshte assesi. Gjithçka bënte mbreti Ju vetëm ta bënte konkubinën e tij të bukur që të qeshte. Një ditë vendosi ta dërgonte për shëtitje tek kullat e alarmit, përmes së cilës oborri mbretëror lajmëronte karakollet e tjera për gjendje lufte dhe për sulm nga armiku.

Për ta bërë konkubinën e tij të buzëqeshte, mbreti Ju e ndezi tymin e alarmit. Ushtri të tëra erdhën në dispozicion për ta mbrojtur mbretin. Por, ai, teksa qeshte bashkë me konkubinën, ua rrëfeu mahinë e tij dhe ata, të dëshpëruar, u kthyen prapa. Një ditë mbreti Ju vendosi të ndahej nga gruaja e tij, ta largonte djalin e tyre nga trashëgimia mbretërore dhe të martohej me konkubinën e bukur, djalin e së cilës do ta bënte princ e vetë atë mbretëreshë. Mbreti fqinj, që ishte babai i ish-gruas së tij, kur mori vesh vendosi ta sulmonte në shenjë hakmarrje për çnderimin që ia kish bërë mbreti Ju. Kur mbreti Ju ndezi tymin e alarmit për të lajmëruar ushtrinë e tij se ishte sulmuar, ata kujtuan se ai sërish po bënte qejf me konkubinën duke i tallur ata dhe nuk erdhën ta shpëtonin. Kështu u shua dinastia Zhu për faj të rrengjeve mashtruese të mbretit Ju.

IV

Me opozitarë si Haradinaj, Thaçi do ta ketë jetëgjatë pushtetin vet. Ramush Haradinaj gjer më tani i ka dhënë së paku pesë shenja që alarmet e tij kundër Thaçit janë rrengje shakatare dhe se ai është në gjendje t’i bashkohet Thaçit sapo ky i fundit ta pranojë “në gjirin e vet”. A do t’i besojnë njerëzit sërish alarmit të Haradinajt se tani do të jetë “The Final Countdown” kundër Thaçit dhe se më nuk do të lajkatojë me Thaçin?

Një gjë është me rëndësi: Hashim Thaçi, me gjithë ato dëme sistematike që ia ka sjellë këtij vendi, duhet të rrëzohet sa më parë. Atij i duhet pamundësuar edhe zgjedhja si president. Pos të tjerave, çka nëse Gjykata Speciale ngrit padi kundër tij? A do të bëhet Kosova, pas Serbisë a Sudanit, vendi i radhës, presidentin në detyrë të të cilit e akuzon një gjykatë ndërkombëtare? Në këtë kohë krize politike si mund të merret parasysh kryeneçësia e Thaçit për t’u bërë president? A duhet lejuar të veprojë i nxitur nga ambicia personale, sikurse vepruan Rugova e Berisha që injoruan rrethanat konkrete, të verbuar nga ambicia për t’u bërë presidentë: Berisha në pranverë 1997 në mes të revoltës gjithë-qytetare gjatë krizës së piramidave dhe Rugova që organizoi zgjedhje në mars 1998, ndërkohë që Drenica po digjej e Jasharajt ishin masakruar?

Prandaj shpresojmë që protesta e 17 shkurtit do ta çojë vendin në zgjedhje, jo vetëm për t’ia ndalur turrin ambicies egoiste të Thaçit, por edhe për të legjitimuar përmes votës qytetare marrëveshjet mbi Asociacionin dhe Demarkacionin. (Edhe pse ekziston rreziku që mazhoranca t’i rifitojë zgjedhjet dhe kjo do t’ia humbiste opozitës legjitimitetin për të kundërshtuar gjer në fund këto marrëveshje.)

Për fund, le të shpresojmë që kjo të mos jetë një nga rrengjet e radhës të Haradinajt…


penaime.com

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s