OP-ED

Nga Pallati i Bardhë në Luftën e Errët

Lufta civile në Siri, duket të jetë një luftë e komplikuar. E çrregullt dhe mizore, ku asnjëra palë nuk ka respekt për viktimat civile.Kjo luftë nuk është e bardh e zi. Ju mund të mendoni se janë kryengritësit trima kundrejt regjimit të keq diktatorial, dhe kjo është pjesë e historisë. Por, kjo nuk është e gjitha.

Konflikti tani është e ndarë në mes të katër fraksioneve kryesore: Bashar al-Asad, rebelëve anti-Assad, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), dhe grupi i armatosur kundërthënës ‘Shtetit Islamik’, dy të fundit të identifikuara si grupe terroriste nga SHBA dhe OKB.Secila palë ka mbështetës të ndryshëm të huaj – por edhe ata duket të jenë të hutuar se kend po e mbështesin dhe pse, ose të paktën kështu pretendojnë.

Vedat Xhymshiti, Independent Journalist

»Vetëm një ditë pas sulmeve me bombë në Ankara, të cilat lanë të vdekur të paktën 28 civil dhe mbi 60 të plagosur Pallati i Bardhë i Republikës së Turqisë, përpiqet të përcjell të njejtën politikë, e cila ndiqet nga SHBA-të tash e 15 vjet.« Vedat Xhymshiti, Gazetar i Pavarur

Por, si erdhi deri tek kjo situatë?

Në mars të vitit 2011, kur ajo që njihej si ‘Pranvera Arabe’ kishte hedhur hap në Republikën Arabe të Sirisë, një mosmarrëveshje që ishte një konflikt politik i brendshëm filloi të bëhej  pikënisje për mosmarrëveshje edhe të jashtme. Incidenti i shënuar në Daraa, një qytet në Sirinë jugore, që më në fund ndezi demonstrata serioze anti-Assad, kur të paktën 15 fëmijë ishin arrestuar dhe torturuar pasi ata kishin bërë një vizatim anti-qeveritar në muret e qytetit.

Kjo ngjarje kishte nxitur një veprim të shpejtë e të armatosur kundrejt forcave qeveritare nga forcat anti-Assad, të cilat edhe formuan atë që u emërua si  Ushtria Çlirimtare e Sirisë [UÇS], por që më vonë do të shpartallohej nga fuqitë Perëndimore.

Në vitin 2012, kryengritësit dhe mbështetësit e tyre nga i gjithë rajoni filluan të rrugëtonin në drejtim të Sirisë për të krijuar një forcë të re anti-Assad, e cila ishte në rrugë të themelimit, por ende pa i zhvilluar mirë, në qershorin e vitit 2012 ndërhyrja e Perëndimit bashkë me forcën rajonale atë të Turqisë, i shkaktuan një kollaps në aspektin e logjistikës ushtarake dhe nevojave elementare për jetë, asaj që quhej UÇS dhe që qe formuar nga sirianët të cilët të nxitur nga Perëndimi mes premtimeve për lirinë kishin kapur armët dhe kishin drejtuar plumbat kundrejt vëllezërve të tyre në ushtri, të cilët me apo pa vetëdijën e tyre, po e mbështesnin një politikan, administrata e të cilit po shkelte të drejtat civile dhe politike në vend.

Kështu disa fuqi Perëndimore bashkë me Turqinë kishin mbështetur krijimin krahut të parë ushtarak kundërthënës me orientim të deklaruar Islamik të njohur si ‘Jabhat al-Nusra’, ndryshe shpesh i raportuar edhe si krahu i djathtë-aleat i rrjetit ‘Al Qaeda’, të cilët ishin pajtuar që të hapnin zjarr edhe kundrejt forcave të armatosura Kurde përgjatë kufirit me Turqinë, kërkesë kjo e armikut të vjetër e popullit Kurd.

Në këtë pikë, raportime të paverifikuara kundërthënëse kanë pretenduar se Assad ka lëshuar një numër xhihadistësh nga burgjet në Siri në mënyrë që ata, siç pretendonin disa media Perëndimore të bashkohen me kryengritësit sirianë, duke pretenduar se ky veprim mund të ketë pasur për qëllim për të vështirësuar veprimtarinë e kundërshtarëve të tij për të marrë mbështetje të huaj. Mirëpo ishin të huajt ata që në fakt kishin shtypur kryengritësit sirianë dhe ngritur ata që po quheshin“Xhihadistë”, duke i mbështetur formacionet e tyre në mënyra të ndryshme.

Një linjë e qëndrueshme e furnizimit me armë nga CIA, vendet e Gjirit, dhe vetë Turqia ishte vënë në shërbim të vazhdueshëm për ISIS. Krejt kjo është dokumentuar përmes analizës së numrit serik të armëve nga qendra e kërkimit të armëve në territoret e përfshira në konflikt me seli në Londër, [Conflict Armament Research — CAR], baza e të dhënave e të cilëve për të xhurmuar tregtinë e paligjshme të armëve financohet nga BE dhe Departamenti Federal i Punëve të Jashtme në Zvicër. Në të vërtetë, CAR me seli në Londër, e ka dokumentuar programin e njohur të ndërmarrë nga CIA dhe Sauditët [të cilët e kanë pranuar publikisht që kanë filluar në vitin 2012] për të transferuar mijëra tonelata armatimi në drejtim të siç pretendohej kryengritësve të moderuar në Siri, por gjetjet në terren sugjerojnë se në fakt programi i Uashingtonit dhe i Riyadit ka qenë i destinuar për armatosjen e luftëtarëve të ISIS-it.

Gjatë një konference ndërkombëtare për gazetari hulumtuese e cila u mbajt në Londër në fillim të korrikut 2015, temë e diskutimit ishte edhe lufta civile e Sirisë.Aty ishte i ftuar gazetari britanik Charles Glass, i cili është autor i disa librave dhe korrespondent i Lindjes së Mesme që nga viti 1973. Gjatë diskutimit, gazetari Glass konfirmoi atë që dukej qartë që Shtetet e Bashkuara kishin toleruar një politikë nga Arabia Saudite dhe Katari e cila kishte për qëllim islamizimin e revolucionit sirianë, pra heqjen e mbështetjes për Ushtrinë Çlirimtare të Sirisë.



“Në të vërtetë arsyeja tjetër pse Shtetet e Bashkuara toleruan një politikë të tillë ndaj Shtetit Islamik, është fakti se ata ishin luftëtarë më të mirë. Për shkak se UÇS do të mund t’i zaptonte qytete regjimit, por ‘Jabhat Al-Nusra’ do të vinte me kamionë kamikazë dhe se do të merrte tërë pikat e kontrollit shumë më shpejt, krahasuar me UÇS-në e cila hezitonte të ndërmerrte veprime të tilla. Pra padyshim që xhihadistët në Siri, me mizoritë e tyre e kanë dëshmuar se ata ishin shumë më të suksesshëm se UÇS e cila ishte e vetë-frenuar nga mizoritë.”

Pra, ju keni të drejtë më tha ai, gjatë nje diskutimi të përbashkët, patjetër që është e vërtetë se mbështetja me armatim ishte duke shkuar më shumë në krahët e xhihadistëve sesa në anën e UÇS-së.

Kurdët e Sirisë veriore, së bashku me kurdët e Turqisë dhe Irakut, kanë qenë në luftë me ISIS-in pasi këta të fundit e ngritën dhe e shpallën të ashtuquajturin Kalifatin e tyre.Ishin kurdët sirianë dhe shokët e tyre kurdë në Turqi të cilët ndihmuan për të shpëtuar Jezidët, pasi ata kishin ikur nga sulmet e ISIS, duke u strehuar në males e Sinjar-it.Ishin kurdët sirianë dhe shokët e tyre në Turqi që çliruan qytetin Kobani nga ISIS.Por kurdët e Sirisë veriore nuk kanë qenë të përfshirë vetëm në bërjen e luftës.Ata kanë qenë gjithashtu të përfshirë në bërjen e pages. Kurdët kana krijuar strukturat e reja demokratike, kanë deklaruar kantone autonome; kanë ngritur shkollat, universitetet e spitalet. Por, kjo duket ta ketë shqetësuar tej-mase Turqinë.Komentuesit që përcjellnin zhvillimet në sirinë veriore nga afër, kishin parashikuar se me humbjen e Jarablus nga ana e terroristëve edhe kryeqyteti i Kalifatit Raqqa do të pësojë së shpejti, por Erdogan reagoi duke e deklaruar Jarablus një “vijë të kuqe”: Nëse kurdët do të sulmonin, forcat e tij do të ndërhynin ushtarakisht – kundër YPG-së. Pra Jarablus mbetet në duart e grupeve kundërthënëse të cilësuara si terroriste edhe në këtë ditë, nën mbrojtjen faktike të ushtrisë turke, një vend anëtar i NATO-s.

“PLANI 9/11” i Turqisë

Shtëpia e Bardhë në Uashington kishte vendosur të pushtonte Irakun dhe Afganistanin si kundërpërgjigje për sulmet e 11 shtatorit, për të cilat SHBA pretendonte se ishin bërë nga ‘Al Qaeda’. Edhe pse Bin Ladeni ishte një Saudit dhe paratë e Arabisë Saudite e kishin financuar organizatën e tij ‘Al-Qaeda’, dhe se pesëmbëdhjetë prej nëntëmbëdhjetë rrëmbyesve ishin sauditë, për të cilët pohohet se i rrëmbyen fluturaket civile duke i përplasur ato me Kullat Binjake në Nju Jork dhe shënjestra të tjera.

Kështu vetëm një ditë pas sulmeve me bombë në Ankara, të cilat lanë të vdekur të paktën 28 civil dhe mbi 60 të plagosur Pallati i Bardhë i Republikës së Turqisë, përpiqet të përcjell të njejtën politikë, e cila ndiqet nga SHBA-të tash e 15 vjet.

Kryeministri turk Ahmet Davutollu tha më 18 shkurt se regjimi sirian ishte drejtpërdrejt përgjegjës për sulmin me bombë në Ankara, pa ofruar ndonjë dëshmi.

Ai tutje shtoi se “YPG [Njësitet e Mbrojtjes Popullore Kurde] janë një mjet i regjimit sirian dhe regjimi është drejtpërdrejt përgjegjës për këtë sulm. E drejta për të marrë të gjitha llojet e masave kundër regjimit sirian është e rezervuar për ne “, tha Davutollu duke folur në një konferencë për shtyp pas vizitës së tij në Shtabin e Përgjithshëm, për të cilën vizitë kritikët pohojnë se do të ketë pasur diskutime për të filluar pushtimin ushtarak në territoret e Sirisë, veprime të cilat janë duke ndodhur tash e një muaj.

Pretendimin e Turqisë e ka hedhur poshtë Komanda e Përgjithshme e YPG-së, të cilët thanëse ata nuk kanë lidhje me sulmin, duke theksuar se Davutogllu, i cili e ka vënë përpara këtë akuzë, është duke u përpjekur për t’i hapur rrugën Turqisë për një ofensivë në Rojava dhe Siri.

Ndërsa tëPremten në mbrëmje një grup i armatosur kurdë kanë marrë përgjegjësinë për sulmin me bombë në Ankara, njofton reuters. Grupi i njohur si Skifterët për Lirinë e Kurdistanit (TAK) thanë se bombardimi ishte në përgjigje të politikave të presidentit Tayyip Erdogan dhe se ata do të vazhdojë sulmet e tyre. Ata thanë se sulmuesi ishte një shtetas 26-vjeçar turk i lindur në qytetin lindor Van.

Po këtë ditë, më 19 shkurt, një zyrtar nga një koalicion me mbizotërim kurd në veri të Sirisë thotë se trupat turke janë duke bombarduar pozicionet e tyre në zonat kufitare dhe duke shkaktuar viktima në mesin e civilëve.Ahmad al-Omar i Forcave Demokratike të Sirisë [FDS], tha të premten se bombardimet Turke, kanë goditur disa zona duke përfshirë qytetin e Jandairis, Al-Hasakah dhe Afrin.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër tha se bombardimi në zonat e veriut të Sirisë ka zgjatur shtatë orë, duke vrarë dy dhe plagosur dhjetëra të tjerë.

FDS, janë bërë forcat më efektive në luftën kundër grupit kundërthënës ‘Shteti Islamik’, duke kapur zona të mëdha në veri të Sirisë, me ç’rast kanë ngritur shqetësime në Turqi, egzistencën e të cilëve Pallati i Bardhë në Ankara duket sikur do ta përdor si arsyetim për ta pushtuar Sirinë veriore për të vazhduar më tej deri në Kirkuk të Irakut, një plan ky për të ri-kthyer territoret që dikur ishin të pushtuara nga Perandoria Osmane, por tani në stilin e qeverisë së Uashingtonit, kur kjo e pushtoi Irakun dhe Afganistanin.

Konflikti mes Turqisë dhe PKK-së, e cila kërkon krijimin e një shteti të pavarur kurd, ka vazhduar për më shumë se 25 vjet duke marrë më shumë se 40,000 jetë njerëzish.

PKK është listuar si një organizatë terroriste nga ana e OKB-së, SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, të cilat e mbështesin Turqinë dhe Kurdët në luftë kundër terrorizmit, derisa Turqia, duket të jetë e përcaktuar t’i shuaj bazat ushtarake të Kurdëve të cilët po luftojnë kundër ISIS-it në Siri.


Vedat Xhymshiti; është një gazetar dhe korrespondent lufte i pavarur nga Kosova, me qëndrim në Londër. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara dhe themelues i THEFrontliner.net

Botuar tek Penaime.com

Categories: OP-ED, Turkey

Tagged as: , , , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s