Free Press

Nekrologu i Lirisë së Shtypit në Filmin e OSBE-së

Mbi filmin dokumentar të OSBE-së dhe intervistat me njerëzit e gabuar

Deklarata Universale e Kombeve të Bashkuara [1948] për të Drejtat e Njeriut thotë: “Çdo njeri ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe të informacionit dhe ideve me çfarëdo mjeti pa marrë parasysh kufijtë.”


»Filmi i OSBE-së mbi lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes, ka kaluar përtej imagjinatës së mjerimit në raport me kualitetin profesional« Vedat Xhymshiti [Foto: Ilir Tsouko/THEFrontliner.net]

»Filmi i OSBE-së mbi lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes, ka kaluar përtej imagjinatës së mjerimit në raport me kualitetin profesional« Vedat Xhymshiti [Foto: Ilir Tsouko/THEFrontliner.net]

Pavarësisht se edhe Kushtetuta e Kosovës dhe korniza e saj ligjore e siguron dhe garanton lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit, mjedisi i mediave në Kosovë vazhdon të ndikohet dhe të kërcënohet nga ndërhyrjet politike vendore dhe ndërkombëtare, korrupsioni dhe presioni financiar. Megjithatë, media është e kërcënuar edhe nga vetë personeli i saj, për shkak të mungesës së njohurive profesionale dhe mungesa e motivimit për të respektuar etikën profesionale, apo edhe motive të tjera personale.

E kam shikuar një film dokumentar, të prodhuar nga OSBE-ja [Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë], botuar më 28 tetor të këtij viti, nëpërmjet kanalit të tyre YouTube dhe këto janë vlerësimet, pyetjet dhe shqetësimet e mia. Filmi dokumentar flet për lirinë e medieve dhe të shprehjes në Kosovë.

Zekirja Shabani, i cili është kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës, tha se puna e policisë është për t’u vlerësuar pozitivisht në aspektin e reagimit të tyre ndaj atyre që i sulmojnë gazetarët, por zoti Shabani është gjithashtu i njohur me faktin se zyrtari policor Faruk Ibrahimi, i përfshirë në një sulm ndaj personelit mediatik në Kosovë, vazhdon të jetë pjesëtar i zbatimit të ligjit, edhe pse ai u gjet fajtor dhe ishte identifikuar si i përfshirë në një sulm fizik, duke synuar një gazetar [mua!] më 14 janar të vitit 2012. Çfarë e ka motivuar zotin Shabani për të fshehur këtë fakt, unë nuk mund të them, por unë në mënyrë të qartë kujtoj se ai, në një prej konferencave për shtyp në emër të AGK, tregone se si gazetarët janë të shantazhuar në Kosovë, gjë që tregon se [disa] nga gazetarët janë të përfshmirë në afera të ndryshme. Ai më tej në atë konferencë kishte deklaruar se ka disa gazetarë që punojnë më shumë se gjashtë muaj [në mesin e tyre ishte edhe ai!] pa pagesë, por pyetja ime është se si është e mundur që gazetarët të ushtrojnë detyrat e tyre profesionale për më shumë se gjashtë muaj pa pagesë, dhe mbase përgjigja mund të jetë e lidhur me deklaratën se gazetarët janë subjekt shantazhi në vend. E po, natyrisht çdokush mund të shantazhohet sa herë që gjendet i përfshirë në çështjet e dyshimta.

Në minutat në vijim të filmit dokumentar, prokurori i shtetit z. Sylë Hoxha tha: “…ne i japim prioritet çështjeve të sulmeve të gazetarëve, gjithmonë kur shoqata e gazetarëve apo ndonjë media reagon”! Me fjalë të tjera, në qoftë se një sulm ndodh dhe nuk ka asnjë reagim nga shoqata – për të cilën unë dyshoj se është e prekur në mënyrë të konsiderueshme nga grupet e interesit, presionit politik dhe financiar në Kosovë – prokuroria nuk merret me rastin, ose ata mund të merren me atë, por këto raste mbulohen në pluhur. Kryeprokurori Syla, në fillim thotë se ata i përgjigjen rasteve të gazetarëve shumë seriozisht edhe me prioritet, por ai i ngatërron gazetarët duke i krahasuar me rastet prioritare të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Unë nuk e kuptoj se si një autoritet hetues e gjykues i shtetit mund të bëjë krahasime të tilla, për më tepër unë nuk e kuptoj se si OSBE-ja i jep zë një mentaliteti të tillë!

Megjithatë, filmi i OSBE-së, i cili flet për lirinë e shtypit dhe të shprehjes, padyshim se e ka injoruar zgjatjen trivjeçare të një procedure gjykimi, e cila është e para që akuzon qeverinë për përfshirje në shkelje të të drejtave të njeriut dhe profesionale të një gazetari në detyrë. Në maj të vitit 2012, vetëm katër muaj pasi një gazetar kishte përjetuar një sulm fizik, cak i të cilit kishte qenë më 14 janar 2012, një ankesë ligjore ishte deponuar në gjykatën komunale në Prishtinë, e cila kërkon llogaridhënie nga ministria e brendshme dhe qeveria e vendit, nën dyshimin e bazuar për përfshirjen në shkeljen e të drejtave kushtetuese. Gjyqi është duke ecur shumë ngadalë, dhe në majin e vitit të ardhshëm pritet të shënon vitin e katërt të rradhës ende pa u zgjidhur, derisa sulmuesi vazhdon të ecën i lirë dhe ushtron detyrën e tij zyrtare si polic në vend. Kjo ngjarje “për çudi” i ka lënë përshtypje shqetësuese Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat dhe Liritë Njerëzore, organizatave për lirinë e shtypit si IFJ, SEEMO, IPI dhe Amnesty International, si dhe fondacionit britanik ‘Rory Peck Trust‘ me seli në Londër, por papritmas jo edhe OSBE-së.

Dokumentari gjithashtu flet për të drejtën e qasjes në dokumentet publike. Në këtë pjesë, drejtoresha e BIRN-it Jeta Xharra, e cila tregon se Agjencia qeveritare për Mbrojtjen e të Dhënave, në fakt është krijuar për të mbrojtur politikanët dhe ajo duhet të vihet në dyshim, shton se, ajo në kuptimin e mirë të saj duhet të përdoret vetëm pasi ka prova të arsyeshme për të dëshmuar shkeljen e të dhënave reale private të individëve, por zyrtarët publikë që përdorin paratë publike, asnjëherë nuk duhet të jenë të mbrojtur nga kjo agjenci. Më tej dyshimet e znj. Xharra i avullon zyrtarja e OSBE-së znj. Nancy Jasharaj, e cila e mbron Agjencinë Qeveritare për Mbrojtjen e të Dhënave, duke miratuar kështu politikën saj për të mbrojtur strofullin e politikave të qeverisë nga publikimi i të dhënave publike në bazë të aktit të mbrojtjes së të dhënave. Natyrisht, ky dokumentar vazhdon për të shkruar fjalë në akull. Dhe me të vërtetë e dëshmon angazhimin e diskutueshëm të misioneve evropiane në Kosovë, duke e vënë në kundërshtim edhe me vetë arsyen pse OSBE ishte themeluar. Citoj: “Mandati i OSBE-së përfshin çështje të tilla si kontrollin e armëve dhe promovimin e të drejtave të njeriut, lirinë e shtypit dhe zgjedhje të ndershme.”

Për faktin se grupet kriminale ia dalin për të shkelur dhe kontrolluar rendin kushtetues në Kosovë, flet dëshmia e gazetarit të ‘Kohës Ditore’, Vehbi Kajtazi, i cili dëshmon se komuna e Skenderajt, e cila drejtohet nga një prej kryekomandantëve të luftës, ka arritur të refuzojë një kërkesë për qasje për disa dokumente publike dhe siç tha ai, “dokumenti ishte nënshkruar nga kryetari i asaj komune Sami Lushtaku, i cili në atë kohë kishte qenë i burgosur për shkak se ai kishte rrahur një gjyqtar gjatë një seance.”

Ky film diskuton temën e kontrollit të politikës editoriale përmes presionit politik dhe financiar. Këtu përsëri shfaqet kryetari i AGK-së Zekirja Shabani, i cili me të drejtë ka ngritur shqetësime se gazetarët e Kosovës nuk kanë kontrata, ata nuk janë të paguar mirë, ata shpesh nuk kanë as karrige ku të ulen dhe një kompjuter për të punuar dhe se gazetarët punojnë jashtë orarit të punës pa rimbursim etj. Në anën tjetër Astrit Gashi, themelues i gazetës ‘Blic’ thotë se, gazetaria nuk është një profesion prej të cilit mund të jetojnë gazetarët. Në të vërtetë, burimi financiar i pothuajse çdo mediumi në Kosovë është i panjohur, duke përfshirë edhe zyrën e redaksisë që ai drejton. Ndërsa deklarata e tij është një dekurajim i rëndë për brezat e rinj të cilët besohet se janë duke studiuar në fushën e gazetarisë. Kjo është shqetësuese. Dhe zoti Gashi, nuk tregon në këtë film dokumentar se si ekipi i tij editorial arrin të mbijeton!

Jeta_Xharra_BIRN

»Agjencia qeveritare për Mbrojtjen e të Dhënave, në fakt është krijuar për të mbrojtur politikanët« Jeta Xharra, BIRN

Drejtoresha e BIRN-it znj. Jeta Xharra, i adreson faktet e ndikimit të medieve në politikën redaktuese me anë të presioneve financiare dhe politike, por pasi znj. Xharra që është i vetmi zë ndryshe, aty paraqiten të paktën tre persona të tjerë të intervistuar nga pakicat që përfaqësojnë kryesisht radiostacione që operojnë në Kosovë; ata tregojnë se burimi i vetëm financiar që ata kanë janë organizatat e ndryshme ndërkombëtare të cilat siç thonë ata “dorën në zemër …ne nuk kemi kontroll të politikës redaktuese dhe nuk kemi presion për të”, por si është e mundur që situata në komunitetet e tyre është përtej mjerimit!? A nuk duhej këto radiostacione të ishin zërat e mjerimit, a nuk duhej që këto radiostacione të kritikonin ashpër atë mjerim që nuk mund të kapërdihet, e i cili shpesh është edhe përtej imagjinatës? Ndoshta! Ndoshta! Natyrisht, dorën në zemër, ata nuk kanë presion, aspak madje!

Në pjesën e tretë të këtij filmi, trajtohet tema për transmetuesin publik të vendit, RTK-së, duke u fokusuar mbi presionin politik dhe financiar. Fotografia lëvizëse e dokumentarit fillon duke iu referuar Ligjit për RTK-në. Pamjet tregojnë muskujt e kontrollit politik, kur një zyrtar i sigurisë, fizikisht i pengon redaktorët e transmetuesit për të hyrë në ambientet televizive gjatë një proteste kundër kontrollit editorial, të cilët protestonin duke kërkuar pavarësi më të madhe editoriale. Arsim Halili, nënkryetar i sindikatës së punëtorëve të pavarur të RTK-së, sqaroi se transmetuesi nuk është tashmë në misionin publik, dhe në mesin e shumë çështjeve të tjera enigmatike që janë ngritur deri më tash, ai dëshmon se kontrolli i politikës ditore të vendit është tejet i ashpër.

Mentor Shala, drejtor i përgjithshëm i RTK-së, i cili tingëllon si një politikan, konfirmon akuzat e ngritura nga kolegu i tij i sindikatës së punëtorëve, duke thënë se ka akuza të ndryshme për RTK-në, por ai rekomandon se ata të cilët kanë fakte t’i paraqesin ato tek autoritetet gjyqësore. Kjo është një retorikë e ngjashme me atë të kreut të partisë në pushtet, parti e disa prej kryekomandantëve që besohet se janë të korruptuar dhe për të cilët ka fakte të dokumentueshme për përfshirje në krim të organizuar, siç raporton Reuters dhe BBC!

Etika dhe themelimi i medieve të reja, është tema e fundit që trajtohet në këtë film dokumentar. Që në fillim të tij, shkelësi i etikës është ndër të parët që flet drejtë për të. Gazetari i kohës ditore Vehbi Kajtazi, u pajtua se gazetaria e vendit po vuan për shkak të mungesës së etikës profesionale duke thënë: “Unë mendoj se media është në krizën më të rëndë të etikës. Në krizë profesionale.” Për arsyen e thjeshtë, siç pandeh Kajtazi se, “mediat online, publikojnë shumë informacione të paverifikuara, publikojnë artikuj pa i kontaktuar palët, të cilët janë subjekt i historisë!”

Por, atë që unë e shoh këtu, është se gazetari Kajtazi, është duke u përpjekur për të larë duart e tij të zhytura në këtë krim. Në gusht të vitit 2012, në një raport të tij, i cili ka për cak një OJQ me qendër në Tiranë që merret me personat e humbur, duke pretenduar se është agjenci spiunazhi, vetë gazetari Kajtazi kishte publikuar një dokument të paverifikuar, në të cilin dokument ai pretendon se gjendej emri dhe mbiemri im. Gazetari Kajtazi kurrë nuk më ka kontaktuar për të më pyetur nëse unë kisha ndonjë njohuri rreth kësaj, pse emri im ishte gjendur në atë dokument dhe a kishte ndonjë specifikë tjetër e cila do të dëshmonte vërtetësinë e identitetit tim aty.

Është fakt se përfshirja ime në verifikimin e këtij artikulli mund të shihet si konflikt interesi, por unë duhej të përpiqesha të verifikoja nëse emri im ishte me të vërtetë në ndonjë listë të ndonjë organizate spiunazhi dhe përse. Por unë gjeta prova se organizata ishte një OJQ, e cila merrej me fatin e njerëzve të humbur. Në kohën kur gazetari Kajtazi e kishte publikuar artikullin e tij, unë isha në detyrë për gazetën gjermane “Der Spiegel” në luftën civile të Sirisë, dhe ai publikim mund të më kishte kushtuar jetën time, dhe gazetari Kajtazi, kurrë nuk kishte kërkuar falje për të.

Një raport i nëntorit të vitit 2011 i përpiluar nga Gazeta JNK, pra të paktën një vit para se gazetari Kajtazi të raportonte, tregon se Maksim Ferra ua ka marrë nga €2000 secilit prej tyre që i ka rekrutuar. Gazeta Shekulli në Tiranë, në dhjetorin e vitit 2014 raporton se Maksim Ferra është arrestuar nën dyshimin për shpërndarje të dokumenteve të falsifikuara. Gazetari Kajtazi nuk e ka rishqyrtuar artikullin e tij, dhe po ky është ai që merret seriozisht nga OSBE-ja për të folur për etikën profesionale.

Dëshira e tij për t’u paraqitur ekskluziv nuk përfundon me kaq. Ai i ka botuar disa artikuj nga burime të dyshimta lidhur me terrorizmin në vend. Gjetjet tregojnë se ai ka manipuluar provat, ndër të tjera, në një prej artikujve të tij të dhjetorit të vitit 2013, ai përdori një fotografi të Al-Kaedës e cila ishte botuar nga fushata e tyre e vitit 2006. Kajtazi këmbënguli se në atë foto ku dukej një njeri me fytyrë të maskuar ishte një prej të rinjve kosovarë, i cili ishte arrestuar dhe besohet se ishte torturuar fizikisht nga autoritetet, pasi ai kishte refuzuar për të pranuar tregimet e gatuara për të. Fotografia e Al-Kaeda-s besohet se ishte botuar në vitin 2006 -në atë kohë, [‘Ebu Hafs el-Albani” i gazetarit Kajtazi,] ishte vetëm 12 vjeç dhe nuk ka pasur luftë civile në Siri.

Unë sigurisht se e kam kontaktuar gazetarin Vehbi Kajtazi në një përpjekje për të folur në lidhje me përfshirjen e tij në shkeljen e etikës profesionale dhe për të kuptuar motivet, por përgjigjja e tij ishte refuzuese, dhe aspak profesionale. Ai me tendencë më kishte shkruar pyetjen për të treguar se në çfarë cilësie ia kisha shtruar pyetjet atij. Megjithatë, ai qartësisht ka të drejtë kur thotë se fryma e disave nga lajmet e publikuara në internet synon të linçon në vend se të informon njerëzit, dhe se unë patjetër besoj se ai e konsideron përfshirjen e tij në shumë linçime të tilla!

Më tej, ky film me përmbajtje të diskutueshme, ka marrë mendimin e Muhamet Arifit, i cili është drejtor i “Balkan Sunflowers”, një OJQ e cila kryesisht merret me komunitetin rom, egjiptian dhe ashkali në Ballkan, por unë nuk kam asnjë arsye për të besuar se kjo organizatë është e specializuar në fushën e etikës profesionale të gazetarisë, ose ndonjë fushe të ngjashme që ka të bëjë me mediet. Megjithatë, z. Arifi me të drejtë thotë se historitë e paverifikuara të lajmeve kanë efekt të keq dhe sipas tij qëllimi i tyre është linçimi dhe shtrembërimi i informacionit, që me fjalë të tjera ai thotë se mediet po kërkojnë treg të klikimeve. Ai shprehu shqetësimin se mediet kishin intervistuar njerëzit e komuniteteve në zonat tek të cilat vepron organizata e tij, duke thënë se “…media ka intervistuar njerëzit që nuk kanë kompetenca për të folur në lidhje me atë që po ndodh atje”, shpjegon ai. Sigurisht, unë besoj se Arifi, mbase mund të kuptojë se ai nuk është personi i duhur të flas për etikën profesionale, por ai po e bënë këtë dhe për më tepër ai është duke folur në një film dokumentar të prodhuar nga OSBE-ja, një organizatë me reputacion ndërkombëtarë për lirinë e shtypit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, misioni i të cilës nuk do të thotë se mediet nuk duhet të bisedojnë me njerëzit për të gjetur se si ndjehen ata! Se gazetaria në Kosovë përballet me probleme fundamentalisht serioze te etikës profesionale dhe kualitetit të raportimit, është fakti se ekipi i këtij filmi kanë zgjedhur si adresë që të flas për etikën shkelësit e etikës dhe një përfaqësues të një OJQ-je e cila nuk ka lidhje me etikën e medias dhe kualitetin e të raportuarit. Prandaj edhe ky prodhim i OSBE-së definitivisht është i diskutueshëm.

Me sa duket filmi i OSBE-së mbi lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes, ka kaluar përtej imagjinatës së mjerimit në raport me kualitetin profesional. Ky film i ka dhënë zë një mentaliteti, i cili mbështetë përmbytjen e të drejtës për t’u informuar drejtë dhe paanshëm, lirisë për t’u shprehur dhe të drejtës për të adresuar, verifikuar dhe kërkuar përgjegjësi rreth çështjeve që na përkasin të gjithëve.

Ky është një film dokumentar i OSBE-së, i cili i jep zë gazetarëve si Vehbi Kajtazi, i cili paraqitet si viktimë, dhe si një shembull i guximit. Por, ne nuk duhet të harrojmë se ai ripublikoi dosjet e NATO-s në qershorin e vitit 2014, gjatë një kohe kur vendi po kalonte nëpërmjet një procesi zgjedhor. Kjo qartësisht ishte një përpjekje për dëmtimin e vlerës ligjore të këtyre dosjeve. Këto dosje mund të ishin publikuar edhe në vitin 2011, apo edhe në janarin e vitit 2014, pasi ato ishin publikuar tanimë nga media ndërkombëtare si Reuters, gazeta Britanike The Guardian dhe Global Post.

Ky koment i imi, i mbështetur në fakte, ishte një përpjekje për të hequr pluhurin nga sytë e publikut lexues në Kosovë, pasi ky prodhim i OSBE-së duket se është përpjekur ta hedh atë në sytë tanë. Tutje, ky film është një përpjekje e qartë e cila sugjeron publikun e vendit të besojnë në [disa] organizata dhe në [disa!] individë apo edhe disa gazetarë të cilët nuk kanë etikë profesionale e njerëzore. Ky film qartë qëndron në mbështetje të heshtjes së represionit dhe persekutimit të gazetarëve nga krimi i organizuar i cili dyshohet të jetë instaluar në administratën qendrore dhe lokale të vendit në mënyrë sistematike. Ky film bënë thirrje që t’u besohet individëve të cilët janë të përfshirë në propagandë dhe jo në shërbim të publikut dhe etikës profesionale, i cili kod obligon secilin prej nesh që merremi me gazetarinë.

Kosova që dikur renditej e 80-ta nga 180 vende në indeksin e lirisë së shtypit të Reporterëve pa kufij, sot renditet e 87-ta, pasi kriza e lirisë së shtypit është thelluar më tej nga viti në vit për ta zhytur vendin shtatë vende më poshtë, si pasojë e shkeljeve të vazhdueshme themelore të lirisë së shtypit dhe lirisë së fjalës, e cila është e garantuar me nenin 40 të rendit kushtetues.

Do të doja të isha i gabuar, por ndoshta! Ndoshta! Ndoshta, edhe nuk jam!



 

Artikulli është botuar tek Gazeta Express në Prishtinë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s