Culture/Art

PSE ABSTENUAN DISA SHTETE QË E NJOHËN KOSOVËN?!

Me shkas vendimin e Bordit Ekzekutiv të UNESKO-s për Kosovën

Kosova është bërë temë e medieve vendore dhe ndërkombëtare, por edhe çështje e diskutimit dhe procedurave të votimit në Bordin Ekzekutiv të UNESKO-s. Kemi shkruar edhe herë të tjera për rëndësinë dhe obligimet që rrjedhin nga anëtarësimi në UNESKO, por kësaj radhe do të merremi me bashëpunimin e UNESCO-s me Kosovën edhe para shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, menjëherë pas pak kohësh pasi përfundoi lufta në vitin 1999, nën administrimin e UNMIK-ut, si dhe shprehjen e shqetësimit lidhur me arsyet e abstenimit në votim të disa shteteve që e kanë njohur Kosovën.

Para se të filloja, duhet thënë edhe këtë: pranimi në UNESCO nuk është edhe zgjidhja e shumë problemeve në arsim, shkencë e kulturë, sikur është krijuar edhe miti mbi përfitimet në UNESCO! Në rregull, ka shumë përfitime e obligime, por jo edhe të stërzmadhohet rëndësia e saj! Sikur OKB-ja që ka dështuar t’i mbron shumë viktima në Bosnje e gjetiu, edhe UNESCO, shpesh ka dështuar t’i mbron shumë monumente të trashëgimisë kulturore të njerëzimit! Mjafton të shihni Palmyrën e madhërishme në Siri dhe reagimet aq të vonuara të UNESCO-s për ta mbrojtur këtë vend të shtrenjtë të trashëgimisë botërore!

Dokumenti 152-faqesh mbi trashëgiminë kulturore në KOSOVË

E kam lexuar raportin e paraqitur të vitit 2003 nga UNESCO, me gjithsej 152 faqe. Raporti siç thuhet edhe në këtë tekst, “Trashëgimia kulturore në Kosovë – mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë multietnike në rrezik”, i ishte dërguar Qeverisë së Serbisë dhe Malit të Zi (atëbotë këto shtete ishin në union, ndërsa sot janë të ndara pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi), Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Në këtë raport ishte paraqitur gjendja e trashëgimisë kulturore në Kosovë, por jo vetëm ato serbe, siç ishin dy manastiret dhe kishat mesjetare ortodokse, të cilat më vonë u përfshinë edhe me Pakon e Ahtisaarit, edhe në UNESCO, si trashëgimi ortodokse mesjetare serbe. Në këtë dokument tregohej shkatërrimi i trashëgimisë kulturore gjatë luftës së vitit 1997-1999, moskujdesi pas intervenimit ndërkombëtar, hapat që duhej të ndërmerrnin për ruajtje dhe renovim, si Qeveria e Serbisë dhe Malit të Zi, si UNMIK-u, etj. Moment tjetër i rëndësishëm i kontakteve të Kosovës me UNESKO-n ishte edhe vizita e parë zyrtare e përfaqësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën në UNESKO. Ky njoftim mund të gjindet edhe në faqen zyrtare të UNESKO-s, ku informohet se “më 24 janar 2005, z. Koiçiro Matsura, Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, pati një takim me Z. Soren Jesen-Petersen, Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së (PSSP) për Kosovën dhe shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Zoti Jesen-Petersen shprehu dëshirën e tij për të zgjeruar më tej bashkëpunimin me UNESKO-n, në mënyrë të veçantë, pasi ai ndjeu se çështja e mbrojtjes dhe ruajtjes së objekteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë duhet të jetë në krye të agjendës gjatë bisedimeve të ardhshme mbi zbatimin e standardeve.” Më tej thuhet në këtë informatë zyrtare të UNESKO-s se, dyja palët ishin të lumtura që po bashkëpunonin në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë, ku z. Matsuura iu referua dy misioneve të ekspertëve të UNESCO-s në Kosovë në mars të vitit 2003 dhe në prillit të vitit 2004, e cila kishte formuluar një sërë rekomandimesh dhe projekt propozimesh, dhe misioni planifikoi sjelljen e ekspertëve për Kishën e Virgjëreshës së Shenjtë të së Premtes në Prizren, e cila kishte qenë e dëmtuar seriozisht gjatë ngjarjeve të marsit 2004.” Në këtë shënim, po ashtu shtohet si në vijim: “Drejtori i Përgjithshëm ka shpjeguar se këto raporte do të shërbejnë si bazë për organizimin e një konference të donatorëve, që UNESCO ka planifikuar të mblidhen në bashkëpunim me UNMIK-un në maj të vitit 2005, me qëllim për të ngritur fonde për restaurimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë shumetnike në rrezik. Z. Jesen-Petersen pranoi ftesën e zotit Matsuura për të hapur konferencën me të. PSSP-ja e informoi Drejtorin e Përgjithshëm se Manastiri i Deçanit i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore në vitin 2004 ishte nën mbrojtjen e drejtpërdrejtë të UNMIK-ut dhe kërkoi udhëzime të UNESKO-s mbi kriteret dhe masat që duhen marrë për të ruajtur më mirë dhe për të mbrojtur këtë vend, në mënyrë të veçantë kundër ndërtimit të paligjshëm në zonën tampon.”

Pra, UNESKO ishte këtu që me praninë e UNMIK-ut, madje këtë e pohoi për media edhe njëri nga drejtuesit e Institutit Arkeologjik të Kosovës, se në vitin 2003 UNESKO kishte ndihmuar për kalanë e Artanës! Sidoqoftë, ngjarjet e marsit 2004, i dhanë promovimin më të keq të mundshëm mbi shumicën shqiptare karshi monumenteve mesjetare ortodokse. Ato trazira u bënë ‘fatura’ e krejt neneve dhe anekseve për trashëgiminë kulturore në Pakon e Ahtisaarit dhe që atëbotë e gjer më sot, vazhdon të jetë pika më e errët e perceptimit të të huajve mbi mënyrën e sjelljes sonë të shumicë shqiptare, karshi monumenteve mesjetare ortodokse, të cilat tashmë konsiderohen edhe si serbe. Madje, kur presidenti Nikoliq kishte ftuar zyrat e huaja dhe përfaqësues të shteteve të ndryshme, po ua prezantonte në laptop e projektor një lloj dokumentari mbi trazirat e marsit dhe kjo ishte lobimi më ‘inteligjent’ për të lëkundur qëndrimet e ndonjë shteti mbi votat në Bordin Ekzekutiv të UNESKO-s. Teksa shiheshin shqiptarët duke hipur mbi manastire dhe hequr me rrënjë kryqin mbi kulm, fytyrat e mysafirëve nuk kishte se si të mos dukeshin të pikëlluara. Prandaj, një version tjetër mbi ngjarjet e marsit 2004, rindërtimin e të gjitha kishave dhe manastireve ortodokse dhe fondin prej milionash për rindërtimin e tyre nga Qeveria e Republikës së Kosovës, por edhe aktgjykimet e disa prej të dënuarve në vrasjen e civilëve serbë dhe dëmtimin e pronave e të trashëgimisë kulturore ortodokse, do të duhej të ishin një nga projektet tona si dokumentarë, me intervista e kërkimfaljesh. Pala tjetër e ka treguar rrëfimin e vet, por atë duhet treguar edhe ne se si ishin rrethanat e asaj kohe (pavarësisht gjykimit të ashpër të këtyre trazirave), se si ishte akumuluar mllefi ndaj administratës së UNMIK-ut, se si ishte ngulitur shpresa se pas tri vitesh nga Rambujeja, Kosova do të duhej të shpallte pavarësinë etj. Po ashtu, duhet përfshirë sidomos edhe intervistat me protagonistët e ngjarjeve, skenat kur Qeveria ndan fondin e rindërtimit, disa xhirime të rindërtimeve dhe keqardhjen e shumë politikanëve, artistëve dhe të tjerëve, për ato ngjarje. Propaganda e Beogradit mbetet aktive si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Ne duhet treguar se këto trazira bënë që të kenë manastiret dhe kishat ortodokse eksterritorialitet dhe të jenë të mbrojtura me të gjitha dokumentet vendore e ndërkombëtare!

Pse abstenuan shtetet që e kanë njohur Kosovën?

Zv. Ministri i Jashtëm Petrit Selimi, gjatë një konference në Prishtinë. [Foto: MPJ]

Zv. Ministri i Jashtëm Petrit Selimi, gjatë një konference në Prishtinë. [Foto: MPJ]

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka njoftuar përmes medieve dhe faqes së saj zyrtare këtë informacion vijues:

“…në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), Bordi Ekzekutiv i kësaj agjencie të specializuar të KB-së ka miratuar me 27 vota për, 14 kundër dhe 14 abstenime, propozim-rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Bordi Ekzekutiv përbëhet nga gjithsej 58 shtete anëtare prej të cilave 32 tashmë e kanë njohur Kosovën.”

Nëse nisemi nga numrat e fundit, janë gjithsej 58 shtete anëtare të Bordit Ekzekutiv, 32 tashmë e kanë njohur Kosovën, dhe nga fakti i fillimrreshtave të këtij lajmi të MPJ-së se janë 27 vota ‘pro’, atëherë nga matematika e thjeshtë e mbledhjeve dhe zbritjeve, rezulton se mungojnë edhe 5 vota që i kemi menduar si vota të sigurta. Politikanët e Kosovës dhe të gjitha mediet që janë marrë me këtë temë, e kanë ndërlidhur njohjen e Kosovës nga shtetet edhe si votë për UNESCO. Në lajmin e MPJ-së, nuk ceken emrat e shteteve që kanë votuar për Kosovën, shtetet që ishin kundër dhe ato që abstenuan, duke dashur ta paraqesin vetëm si sukses të diplomacisë kosovare, miqve dhe qytetarëve të saj, pa treguar edhe për diçka befasuese se si abstenuan edhe shtetet që e kanë njohur Kosovën. Por mediet serbe, si ajo e b92, duke cituar ministrin e jashtëm serb Ivica Daçiç, ka numëruar vendet që votuan në favor të iniciativës, që përfshinin shtete si: Afganistani, Shqipëria, Austria, Belize, Britania e Madhe, Gabon, Gambia, Republika Domenikane, El Salvador, Estonia, Italia, Kuvajti, Maqedonia, Gjermania, Pakistani, etj., ndërsa kundër: Argjentina, Angola, Brazili, Ekuadori, Etiopia, India, Kuba, Kina, Maroku, Meksika, Namibi, Nigeria, Rusia, dhe Spanja. Shtetet që abstenuan: Algjeria, Bangladeshi, Egjipti, Indonezia, Japonia, Korea e Jugut, Mauritius, Malavi, Mozambik, Mali, Nepal, Papua Guinea e Re, Trinidad dhe Tobago, dhe Uganda, ndërsa siç u citua po nga kjo medie, përfaqësuesit e Tunisit, Turkmenistanit, dhe Ukrainës nuk kanë qenë në dhomë gjatë votimit. Por mbetet befasuese dhe dështim nga Ministria e Punëve të Jashtme, pasi që Daçiq ka shtuar për b92, se “pesë vendet që kanë njohur Kosovën kanë abstenuar nga votimi dje (Japonia, Korea e Jugut, Malavi, Egjipti dhe Papua Guinea e Re). Habia më e madhe mbetet abstenimi i Japonisë, pasi që na ka njohur si shtet më 18 mars 2008, ka dhënë 117 instrumente të reja muzikore për Filharmoninë e Kosovës në vlerë për 500 mijë eurosh (shpenzimet edhe për transport) dhe ka mbështetur Kosovën edhe në shumë rrugë të tjerë diplomatike dhe donacione. Po ashtu, shteti i 64-të, Republika e Malavit, na ka njohur më 16 dhjetor 2009 dhe ka abstenuar. Befasi tjetër mbetet edhe Korea Jugore, e cila ka njohur Kosovën më 28 mars 2008, por ka abstenuar për Kosovën në Bordin Ekzekutiv të UNESKO-s. Edhe Papa Guinea e Re e ka njohur Kosovën më 18 mars 2008 dhe megjithatë ka abstenuar… Pra, shtetet që e kanë njohur Kosovën, nëse presim që detyrimisht edhe të na votojnë në muajin e ardhshëm, nuk do të thotë se është rezultat i favorshëm për ne në mënyrë të sigurtë. Kjo që ndodhi në Bordin Ekzekutiv me abstenimin e pesë shteteve që kanë njohur Kosovën, na ka vënë para dyshimeve se janë disa arsye pse ka ndodhur ky abstenim i shteteve që na kanë njohur: lobimi shumë aktiv, propagandues dhe mjaft agresiv në arenën ndërkombëtare nga ana e politikanëve serbë, duke kaluar herë-herë edhe në deklarata fashiste, e sidomos duke luajtur me trazirat e marsit 2004; dështimi i diplomacisë së MPJ-së së Kosovës, duke mos lobuar aq në vendet që na kanë njohur, pasi që krejt paragjykueshëm e kanë bërë njësh njohjen e pavarësisë me votim pro Kosovës në secilën organizatë globale; dëshpërimin e shteteve që na kanë njohur si Japonia, e cila ka dhënë 500 mijë euro donacion për Filharmoninë e Kosovës, ndërsa Filharmonia nuk kishte as vend ku t’i vendoste këto instrumente muzikore dhe ishte detyruar t’i siguronte hapësirë në një institucion privat arsimor, etj. (pak ironike!)! Pra, abstenimi i shteteve që kanë njohur Kosovën është dështim i MPJ-së, sepse për Kosovën kanë abstenuar edhe shtete që e kanë njohur dhe nuk kanë ditur t’i përgjigjen ofensivës agresive diplomatike serbe lidhur me trazirat e marsit 2004, ndërsa suksesi ishte që disa shtete që nuk e kanë njohur, nuk kanë votuar kundër, por vetëm kanë abstenuar!


Foto e kopertinës huazuar nga rrjeti për fushatën ‘Kosova në Unesko

Categories: Culture/Art, Kosovo, OP-ED, TOP STORIES

Tagged as: , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s