Culture/Art

RRËFIMET E FINLANDEZËVE PËR SHQIPTARËT E KOHËS SONË

(me shkas një libër të veçantë nga autorët finlandezë)

Shumë lexues shqiptarë janë të njohur me udhëpërshkrimet e autores britanike Edith Durham që ka shkruar për jetën, traditat lokale dhe zhvillimet e asokohshme, të para një shekullit mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Poeti anglez dhe aventurieri aristokrat Xhorxh Baj ron, para dy shekujve po qëndronte në Shqipërinë e Jugut dhe po përshkruante veshjen, natyrën, mikpritjen dhe traditat shqiptare.

—Ka edhe shumë autorë të tjerë, antropologë, udhëpërshkrues, etj., të cilët varësisht nga pozita e punës apo misioni që kishin atëbotë, po rrëfenin përshtypjen e tyre për shqiptarët. Edhe atëherë kur shkruanin për zhvillimet politike, nuk mundnin të mos vlerësonin, gjykonin apo paragjykonin edhe disa nga vlerat, normat dhe zakonet kulturore, mënyrën e jetesës në përgjithësi të shqiptarëve. Mirëpo, deri më tash në mediet dhe hapësirat tona publike botohen vetëm ato tekste të udhëpërshkruesve të hershëm anglezë, si në shtojca për kulturë e me vazhdime për lexuesit, por nuk jemi marrë aq edhe me rrëfimet më të reja, më të fundit, të të huajve mbi historinë e sapobërë të Kosovës. Kujtimet, përvojat diplomatike dhe vlerësimet e tyre më të reja të kohës për shqiptarët, tërthorazi dhe direkt mund të gjinden edhe në botimet e librave të ish sekretares amerikane Medllin Ollbrajt, ish kryeministrit laburist anglez Toni Bler, etj., pasi që Kosova ishte pjesë e angazhimeve të tyre, sidomos në kohën e luftës së vitit 1999. Ata ndalen më shumë për negociatat me politikanët shqiptarë, por nuk mbesin pa u shfaqur edhe disa botëkuptime dhe lidhja emocionale që krijojnë me popujt e këtyre vendeve si Kosova. Mirëpo, ka edhe shumë ndërkombëtarë të tjerë në pozita të larmishme profesionale, detyra të tjera të punës, të cilët kanë ndërtuar botëkuptimet e tyre për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Kosovën, duke pasur në mendjet e tyre vlerësimet mbi sjelljen e shqiptarëve të Kosovës. Nëse themi se ka “letërsi të burgut”, sepse po u zhvilluaka në një kontekst të caktuar hapësinor, shoqëror dhe juridiko-politik, atëherë a mund të parashtrojmë pyetjen: A ka letërsi të KFOR-it, të atyre punonjësve ndërkombëtarë që punuan në dy dekadat e fundit në Kosovë si vëzhgues zgjedhjesh, ushtarë, komandantë, diplomat, e të ngjashëm? A kanë shkruar kujtimet dhe përvojat e tyre? Shumica jo, por ka edhe të tillë që kanë shkruar. A nuk do të ishte projekt interesant të intervistoheshin tregimet e ushtarëve e komandatëve të KFOR-it që erdhën menjëherë pas luftës në Kosovë e të përmblidheshin në disa vëllime ose libra me tregime apo intervista?! A nuk kanë për të na rrëfyer tërë ato drama të pasluftës, hakmarrjet etj., ku popullata më shumë se kujtdo tjetër, ia shfaqnin gëzimin e pasigurinë?! Natyrisht se shumica e rrëfimeve të tyre mund të kufizohen në vlerësimet e sjelljes dhe kulturës politike, e sidomos mbi raportet ndërmjet shumicës shqiptare dhe pakicës serbe, mirëpo, ka edhe indirekt vlerësime mbi disa tipare kolektiviste shqiptare, duke përfshirë këtu edhe stereotipet që mund të jenë të pritshme. Një libër paksa më interesant që kam lexuar është edhe libri “Trashëgimia e Ahtisaarit”, të cilin e ka shkruar dyshja finlandeze, me të gjithë autorët e tjerë finlandezë, të cilët kishin detyra dhe role të ndryshme në Ballkanin Perëndimor dhe Kosovë. Kishte prej tyre komandantë të batalionit finlandez, vëzhgues zgjedhjesh të OSBE-së, diplomatë, administratorë të UNMIK-ut, e deri te kryenegociatori Marti Ahtisaari. Secili do të rrëfente përvojat e tyre me shqiptarët, problemet politike dhe disa nga traditat kulturore lokale. Përmbajtja e këtij libri është si vijon me këta autorë/e dhe tituj që flasin mbi këto gjërat e sipërpërmendura: Jyrki Karvanen “Në xhep të Evropës”, Antti Haikio: Nëntë pranvera në Ballkan, Elisabeth Rehn: “Nga kjo nuk ka ndonjë rrezik”, Arto Raty: “Në rolin e ushtarit në Kosovë”, Osmo Lipponen: “Misioni në Shqipëri”, Helena Ranta: “E drejta për t’u varrosur”, Kai Sauer: “Procesi i statusit të Kosovës”, Hari Holker: “Mençuria e mëvonshme”, Martti Ahtisaari: “Kosova nuk është problem – Serbia po!” dhe Oli Rehn: “Puna për paqe në Ballkanin Perëndimor”.

Në libër pothuajse është e pashmangshme të mos gjinden edhe stereotipe mbi Ballkanin në përgjithësi, por jo vetëm ndaj shqiptarëve. I tillë bie fjala është citimi në faqen 12, ku thuhet: “Atje ku mbaron argëtimi, atje fillon Ballkani”! Por edhe kjo fjali dhe ajo që do të citojmë më poshtë, tregon për dekadën e vështirë ballkanike me luftëra, vrasje e masakra gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, dhe prandaj ngjarjet e tilla kanë ndikuar edhe në vlerësimet dhe pikëpamjet e këtyre ndërkombëtarëve në rrëfimet e tyre mbi Ballkanin, veçmas Kosovën dhe shqiptarët.

Antti Haikio (lexo: emri jo në original nga gjuha finlandeze) – ekspert finlandez për çështje të Ballkanit, po shkruante në këtë libër: “Shumë tekste në Ballkan fillojnë me fjalët: “Kur po e shkruaj këtë…”. Arsyeja është e qartë: jeta, situata dhe ngjarjet këtu ndryshojnë aq shpejt, madje brenda orëve, brenda ditës, javës dhe muajit, sa që shumë tekste në kohën e publikimit të tyre e humbin aktualitetin në krahasim me ngjarjet e fundit. Ky nuk është faji i tekstit ose i botuesit, por ka të bëjë me karakterin e Ballkanit, të cilin edhe ne bëjmë përpjekje ta kuptojmë. Në Ballkan ka shumë histori për të treguar dhe për të shkruar, por kontrollimi i ngjarjeve që ndodhin në kohën e tanishme është i vështirë, ndërsa planifikimi i së ardhmes gati i pamundur.”(Nina Suomalainen&Jyrki Karvinen: “Trashëgimia e Ahtisaarit” (Finlanda dhe Ballkani Perëndimor 1992-2008), Toiminimi Nevala Tuula 20320 Turku, Finlandë, Përkthyes: Tuula Nevala dhe Esat Feka, Prishtinë 2010, f. 30-31) Më pastaj, është karakteristike që Ballkanit t’i gjinden ngjashmëritë, pasi që një finlandez, anglez etj., së pari e sheh Ballkanin si tërësi, e më pastaj ndërton ndonjë koncept mbi popujt veç e veç. “…përveç dallimeve mes rajoneve dhe popujve të Ballkanit, njeriu arrin të zbulojë edhe gjëra që i bashkojnë ata. Elemente të përbashkëta më së shumti kam vërejtur tek populli i zakonshëm, tek populli i qetë dhe i mirë, pa marrë parasysh grupin etnik ose fetar… Në mbrëmje kur ngjyrat zhduken në errësirë të thellë, mijëra bretkosa fillojnë simfoninë e tyre, e cila, në çdo pranverë, zgjat një muaj. Kjo simfoni, kudo në Ballkan, është e njëjtë. “ (f.31) Ata para së gjithash më parë flasin për një identitet politik e kulturor ballkanik e më pastaj identitet shqiptar, serb, maqedonas, boshnjak, etj.

RRËFIMI I KOMANDANTIT FINLANDEZ

Pak prej nesh kemi reflektuar rreth serbëve në enklava. Kjo ka qenë për arsye politike dhe mungesës së vënies së raporteve ndërshoqërore të shqiptarëve dhe serbëve pas vitit 1999, por nuk ka se si të mos konsiderohet interesante rrëfimi i ushtarëve të KFOR-it, komandantëve si Arto Raty, i cili ishte në vitin 2000, komandant i batalionit finlandez, që mbulonte territorin e Lipjanit e Shtimes, por edhe ndihmonin ndonjëherë KFOR-in francez në Mitrovicë. Ai rrëfen për serbët e izoluar, të paragjykuar e të përjashtuar nga shoqëria shqiptare. Pavarësisht se nuk i interpreton zhvillimet me analiza sociologjike dhe politike mbi shkaqet e ndarjeve etnike dhe sistemin si të tillë që favorizon segregacion, ai rrëfen vetëm përvojën e tij dhe ato që sheh drejtpërsëdrejti. Ja se si i përshkruan izolimet e serbëve, veçanërisht të serbëve të moshuar: “Finlandezët duhej t’i mbronin pleqtë dhe familjet e vetmuara serbe, duke i ruajtur shtëpitë e tyre vazhdimisht. Pasi serbët u mbrojtën me sukses, urrejtja e shqiptarëve u drejtua ndaj popullatës lokale rome, ndaj mbrojtja duhej të zgjerohej edhe tek ta. Në praktikë shumë serbë jetonin në burgim të vazhdueshëm shtëpiak. Ata nuk mund të lëviznin në rrugët e Lypjanit dhe të Shtimes as nën mbrojtjen e ushtarëve. Pëpiqeshim shumë herë që t’u jepnim mundësi për blerje në tregun javor të Lypjanit, duke i çuar atje në grupe të vogla të mbrojtura nga ushtarët. Sido që të tjerë, rezultati i këtij veprimi ishte që shitësit ose refuzopnin t’u shitnin serbëve, ose shumëfishonin çmimet. Serbët mund të lëviznin vetëm në enklava serbe. Shkëndija e vetme e jetës së tyre ishte kontakti me Beogradin…” (f. 81)

Kommandanti Arto Raty

Kommandanti Arto Raty

Më pas është me interes për lexuesin shqiptar të shkëputet dialogu i përshkruar me një ushtar të tij po ashtu finlandez, rreth getos së serbëve: “Në komunën e Shtimes, me rreth 20 000 banorë, banonin vetëm disa pleq serbë në qendër të qytetit. Ushtarët tanë të rinj më pyesnin se pse atyre pleqve nuk ua paguanim pensionet dhe pse nuk ua siguronim banesat në Beograd apo diku tjetër në Evropë, meqenëse ajo mënyrë do të ishte shumë më e lirë sesa financimi i trupave të shumta vetëm për mbrojtjen e tyre. Edhe pse ky mendim dukej mjaft logjik, kurrsesi nuk do të kishim mundur të vepronim kështu. Me këtë veprim do t’i kishim kontribuar realizimit të spastrimit etnik, kundër të cilit pëpiqeshim të luftonim me çdo mjet.”( f. 82)

Arsyeja pse këto rrëfime duhet të lexohen është fakti se na ndërgjegjësojnë edhe neve si shumicë shqiptare për mënyrën e kundrimit të ngjarjeve të pasluftës nga syri i të huajve. Duke i njohur perceptimet e të huajve, krijojmë një mozaik më real dhe më të kuptueshëm për veten tonë kolektive të pas vitit 1999, por edhe kundërvënien ndaj atyre perceptimeve që shtrembërohen apo janë gjysmake, pasi që një lexues i huaj apo finlandez, me këto rrëfime të autorëve finlandezë, ndërton krejtësisht pikëpamje tjetër mbi Kosovën dhe shqiptarët, në krahasim me besimet iluzioniste që mund t’i kemi se si na shohin të tjerët neve. Stereotipet e të huajve, por edhe të vërtetat e tyre mbi ne, duhet t’i njohim dhe vetëm sa na përmirësojnë njohjen e vetes dhe sjelljes sonë kolektive. Komandanti finlandez që kishte pasur përvojë dhe kontakte me shumë segmente të shoqërisë në Kosovë, nuk e lë pa përmendur edhe kritikën ndaj organizatave civile. “Një pjesë e organizatave civile e vizitonin rajonin vetëm për të dalë në media, ndërsa disa të tjera kryenin punë të rëndësishme dhe të sinqertë. Ndoshta ngjarja më e çuditshme ishte vizita e një përfaqësuesi të organizatës “Save the dogs”, me sjellje shumë agresive. Ai erdhi në vend pikërisht në kohën kur ishim duke e kryer operacionin për asgjësimin e hordhive të qenve endacakë, aksion të cilin e kishin kërkuar vetë banorët lokalë. Nga ana tjetër, më kujtohet mirë, gjithashtu, fushata prej vetëm një ore për shpërndarjen e lodrave të buta, të kryer nga një shtet aziatik. Në vendin e ngjarjes kishte më shumë kamera televizive, sesa në ndonjë rast tjetër, ku isha prezent në Kosovë. Publiciteti, gjoja, ia siguroi organizatës financimin për projekte të reja. Grupi i zhduk nga vendi aty për aty dhe shumica e lodrave përfundoi në deponinë e mbeturinave.” (f. 84)

RRËFIMET E KOMISIONERIT PËR ZGJERIM EVROPIAN OLLI REHN

Olli Rehn-doktor i filozofisë dhe ish komisioner për zgjerim gjatë viteve 2004-2010, siç shkruhet edhe biografia e tij në fund të librit. Në rrëfimin e tij të botuar në këtë libër të lakuar të kolumnes sonë, ai flet se si ishin raportet ndërmjet Finlandës dhe ish Jugosllavisë: “…atëherë, finlandezët mbanin ndjenjën e vllazërisë shpirtërore dhe të simpatisë ndaj jugosllavëve… Thuhet se, për shkak të politikës së paanshme të ushtruar nga Finlanda dhe politikës së pavarur të ushtruar nga Jugosllavia, Keekonen dhe Tito u bënë shokë shpirtërorë me njëri-tjetrin.”(f. 175) Rehn tregon më tej se udhëheqësit e dyjave vendeve vizituan njëri-tjetrin dhe kishin përshtypje shumë të mira për njëra-tjetrën, qoftë për Lëvizjen e të Painkuadruarëve dhe mospërzierjen gjatë Luftës së Ftohtë, por edhe për befasitë dhe habinë që i lindi Finlandës pas gjakut të derdhur brutalisht në vitet 1990 pas fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë, duke e shpërfytyruar këtë superstrukturë që e kishte idealizuar paksa më parë! Më tej, ai flet për shpresën e të rinjve në rrugën e euro-integrimeve, duke u ndalur në një ngjarje shumë relevante kulturore në Serbi: “Në verë të vitit 2006, në Novi Sad të Serbisë, e vizitova festivalin e rockut me emrin Exit, i cili është një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në Evropë. Historia e tij është interesante. Emri Exit (“dalja”) e ka zanafillën në kohën e themelimit të festivalit, në vitin 2000, kur një grup studentësh të orientuar kah Evropa dhe demokracia e themeloi këtë festival për ta shfaqur vullnetin e të rinjëve serbë për dalje nga diktatura e Sllobodan Millosheviqit. Mijëra të rinj u grumbulluan në brigjet e Danubit për t’u argëtuar me muzikë dhe për të debatuar për nacionalizmin, për urrejtjen ndaj të huajve, për cenzurën dhe për shtypjen. Ngjarja zgjati njëqind ditë duke e arritur kulminacionin me festën Get Out to Vote (“shko e voto”), një ditë para zgjedhjeve, të cilat e rrëzuan Milloshoveqin. Më vonë, festivali u shkurtua dhe tani ai zgjat vetëm katër ditë.” (f. 183)

RRËFIME TË TJERA

Po ashtu në këtë libër gjeni rrëfimin e shefit të misionit të OSBE-së në Shqipëri (2002-2004), Osmo Lipponen, se si përshkruan mjerimin në rajonet rurale të Shqipërisë pas shembjes së komunizmit dhe se si “shumica e fëmijëve ecnin pa këpucë, shumë shtëpi nuk kishin xhama, kurse vetëm ndonjë njeri me fat kishte marrë plastikë për dritare të tij…” Pastaj lexoni edhe rrëfimin mbi varrezat masive në Bosnje, nga punonjësja e mjekësisë ligjore Helena Ranta.

Fund

Libra të tillë na mundësojnë të shohim perspektivën e të huajve mbi ne, respektivisht të kohës më të re, pasi që deri më tash jemi marrë më së shumti vetëm me disa udhëpërshkrime të para 200 e 100 vitesh më parë, por jo edhe në dy dekadat e fundit! Librat e të huajve si ushtarë, komandantë, emisarë, etj., të cilët kanë qenë në pozita të ndryshme në Kosovë, apo edhe zyrtarë të cilët ishin punonjës gjatë administrimit më të hershëm të UNMIK-ut, etj., na ndihmojnë të kuptojmë edhe si dhe sa kemi ndryshuar në dy dhjetvjeçarët e fundit, pa lënë pa kritika edhe stereotipet e tyre të cilat shumëfishojnë dhe riprodhojnë ato në botimet që bëhen në gjuhët e tyre amëtare dhe gjuhë të tjera! Pa harruar në kritikë edhe sjelljen e shumë të huajve në vend, sikurse tregojnë shumë nga autorët e lartcituar të librit “Trashëgimia e Ahtisaarit”!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s