CURRENT AFFAIRS

Nga Shkretëtirat e Lindjes së Mesme, në Thatësirat e Ballkanit

Konflikti brutal sirian i cili u shpërnda në rajonin e Lindjes së Mesme pas katër vjetëve ka ndikuar të shkaktojë një krizë serioze në tokën evropiane. Duke ndjekur ëndrrën për një jetë më të mirë në perëndimin e Evropës, refugjatët janë ndeshur me brutalitetin në kufirin mes Serbisë e Maqedonisë.

Skena të dëshpëruara po vijnë nga pikat kufitare të Serbisë dhe IRJ-Maqedonisë. Forcat maqedonase të sigurisë kanë tronditur refugjatët e Lindjes së Mesme, duke ushtruar dhunë mbi ta gjatë një përpjekjeje sporadike për të frenuar rrjedhjen e tyre. Refugjatët shkojnë drejt veriut për të arritur në vendet e Evropës.

Organizata për të Drejtat dhe Liritë Njerëzore me seli në Gjenevë “Human Rights Watch” ka akuzuar zyrtarisht IRJ-Maqedonisë, duke thënë se shteti ballkanik duhet t’i japë fund dhunës kundër refugjatëve.

“Autoritetet duhet të hetojnë përdorimin e granatave tymuese, gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës të përdorura më 21 gusht 2015,” tha HRW një ditë pasi qeveria e Maqedonisë shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në një përpjekje për ta mbyllur kufirin e saj.

Migrants try to get rest at a makeshift camp in Presevo Valley of Serbia. Over 15,000 migrants, including many women with babies and small children, have crossed into Serbia over the past few days and headed toward Hungary and the EU Schengen Area, a zone with no internal border checks between member countries. (Photo: Krenar Halimi)

Një prind sirian, mban në dorë fëmiun e tij, derisa buzëqesh prapa një teli rrethor, i cili është i vendosur përskaj një kampi të improvizuar në Luginën e Preshevës, në Serbi. Mbi 15.000 refugjatë, duke përfshirë shumë gra me foshnjat dhe fëmijët e vegjël, kanë kaluar në Serbi gjatë disa fund-javës së gushtit dhe rrugëtuan drejt Hungarisë, shtet ky i cili ka ushtruar dhunë fizike në një përpjekje për të parandaluar rrjedhën e tyre. (Foto: Krenar Halimi/THEFrontliner.net)

Por refugjatët nuk po trajtohen mirë edhe në anën tjetër të kufirit, në Serbi. Agon Ajeti, i cili është një aktivist i Zyrës për Rini në Preshevë, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se kanë nisur aksionin “Rinia për Refugjatë”, për të ndihmuar të ardhurit nga vendet e lindjes. Ai thotë se përveç arsyeve njerëzore që e kishin shtyrë atë për të filluar aktivitetin, ishte edhe e kaluara e shqiptarëve që u desh të braktisin Luginën për shkak të konflikt të armatosur midis forcave serbe të Jugosllavisë dhe kryengritësve shqiptarë.

Tani vetëm 16 vjet më pas, ai ka për të ndihmuar njerëz të tjerë për të ecur nëpër arat-në të cilat ai dhe familja e tij mund të kenë lënë gjurmë prapa. Familja e tij kishte ikur për Maqedoni, ndërsa refugjatët e tashëm bëjnë rrugëtimin e kundërt duke synuar daljen nga Maqedonia në Serbi dhe nga ky vend për të ikur drejt perëndimit të Evropës së zhvilluar ekonomikisht.

“Në tre muajt e fundit, unë kam qenë dëshmitar dhe kam jetuar me refugjatët e pranishëm duke kujtuar të kaluarën time. Unë e di se çfarë do të thotë të qenët në lëkurën e tyre, unë e kam ecur këtë rrugë jo shumë kohë më parë,” tha ai për Gazetën JNK.

Vetëm në fundjavën që po e lëmë pas, UNHCR-ja ka transportuar deri në 15 mijë refugjatë me autobusë nga fshati Miratovc, i cili shtrihet në kufi me Maqedoninë, deri në pikën e grumbullimit të refugjatëve në Preshevë, thotë Agon Ajeti. “Ndërsa brenda 30 orëve ne kemi arritur të dërgojmë 7,200 refugjatë drejt Beogradit”, shtoi ai.

Një kamp i përkohshëm për refugjatët është ngritur nga ushtria serbe përgjatë kufirit me Maqedoninë. Ministri serb i Mbrojtjes Bratislav Gasiq e kishte vizituar qendrën dhe tha se rreth 5,000 refugjatë ishin aktualisht në kamp dhe në strehën e Preshevës, raporton Balkan Insight.

Vizita e Ministrit ishte përcjellë nga mediet serbe, por Agon Ajeti të premten e kaluar tha: “Askush nuk është i lejuar për të hyrë aty. Ne mund të shkojmë vetëm për të ofruar ushqim dhe ujë. Unë mendoj se arsyeja pse shteti serb preferon që ta mbajnë këtë kamp larg nga syri i publikut, ka të bëjë me atë se kampi nuk i plotëson kushtet minimale për jetë”. Ai shprehet kritik ndaj faktit se aty nuk ka tualet apo ndonjë formë të furnizimit me ujë, apo qoftë edhe ndonjë dyshek, duke shprehur më tej shqetësimin në lidhje me këtë çështje dhe bëri thirrje që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur.

Dy grupe radikale serbe “Naši” [e Jona] dhe “Srbski Obraz”, kishin paralajmëruar mbajtjen e një proteste, pasi thanë se duhej të denonconin atë që e quajtën “një plan të BE-së” për t’i vendosur 400,000 refugjatë në Serbi. Por, kjo përpjekje kishte marrë një përgjigje të menjëhershme nga Ministria e Brendshme.

“Ministria e Brendshme nuk do të lejojë ndonjë mbledhje kundër emigrantëve dhe njerëzve që kalojnë përmes Serbisë, të cilët ishin të detyruar ta bëjnë këtë për shkak të kushteve të vështira ose të luftës në vendin e tyre,” deklaroi Nebojsa Stefanoviq, i cili u përshëndet nga grupet e të drejtave civile, të cilat e kanë mirëpritur vendimin e qeverisë serbe për të ndaluar tubimin e së hënës të krahut të djathtë kundër emigrantëve, shkruan Balkan Insight.

Pika më e afërt kufitare e Preshevës me Maqedoninë, ka pranuar numrin më të madh të refugjatëve në rajon, të cilët kryesisht vijnë nga lufta në Siri, konfirmuan autoritetet lokale të shtetit serb në Preshevë. Presheva në Serbi dhe Gjevgjelia në Maqedoni, janë dy pikat kryesore nëpër të cilat kalojnë refugjatët.

“Shpesh ndodh që refugjatët të frustrohen si rezultat i progresit shumë të ngadaltë të administratës për të përpunuar procedurën e legjitimimit të tyre. Ndërsa dielli djegte lëkurën e refugjatëve, ata të pashpresë brohorisnin të zemëruar, kjo jo pak herë ka ndezur xixa të dhunës të cilat janë të ndërmarra nga policia serbe për të kontrolluar masën e revoltuar të refugjatëve,” i tha Gazetës JNK Valon Arifi, një aktivist i të drejtave të njeriut dhe anëtar i Aksionit të Veprimit Rinor për Refugjatët në Preshevë.

Muri hungarez  që pamundëson realizmin e ëndrrës!

Njerëz të ardhur nga Siria që janë të vendosur në kufirin Serbi-Maqedoni synojnë daljen në vendet e zhvilluara perëndimore nëpërmjet Hungarisë. Por policia në Hungari thuhet se ka hedhur gaz lotsjellës të mërkurën e shkuar, pasi refugjatët kishin refuzuar të jepnin shenjat e gishtërinjve në një qendër pritjeje.  Dëshmi kjo që refugjatët nuk i besojnë shtetit hungarez për trajtim korrekt të të drejtave të tyre si azilkërkues, pasi që sipas Traktatit të Dublinit, kërkesa për azil do të procedohet vetëm në vendin e parë evropian ku azilkërkuesi do t’i ketë lënë shenjat e gishtërinjve.

Të paktën 200 refugjatë ishin në qendër të pritjes në zonën jugore kufitare të Röszke kur gazi lotsjellës ishte shkarkuar mbi ta, raporton Sky News.

Hungaria ka thënë se mund të përdorë ushtrinë e vet për të siguruar kufirin e saj ku një numër në rritje i refugjatëve, shumica prej të cilëve të ikur të luftës civile në Siri, janë duke u përpjekur të kalojnë nëpërmjet Hungarisë për në vendet e BE-së.

Qeveria hungareze njoftoi të mërkurën se do t’i dërgonte rreth 2 mijë “gjuetarë kufitarë” për të frenuar rrjedhën e numrit rekord të njerëzve që hyjnë nga Serbia, përgjatë vijës kufitare me të cilën siç dokumenton Euronews Hungaria ka ngritur një gardh me gjemba.

Ky gardh i ndërtuar me tela të mprehtë është i shtrirë në një gjatësi prej 177 kilometrave dhe ky shtet synon që të mbajë jashtë refugjatët e ardhur nga Lindja.

Llogaritet se vetëm Siria ka deri tani mbi 4 milionë njerëz të zhvendosur nëpër botë. Refugjatët e bëjnë këtë udhëtim deri në Hungari pas marrjes së lejeqëndrimit të përkohshëm në Serbi, të cilit i skadon afati pas 72 orësh dhe pastaj atyre u kërkohet ose të regjistrohen si azilkërkues apo të largohen nga Serbia, e në shumicën e rasteve ata vendosin të largohen, pasi që e dyshojnë se mund të kenë një jetë përparimtare në vendin ballkanik i cili  aspiron t’i bashkohet BE-së.

Përveç veprimit të të rinjve për refugjatë në Luginën e Preshevës, atje janë të përkushtuara edhe Kryqi i Kuq i Serbisë dhe Komisioni i OKB-së për Refugjatë UNHCR që janë bartës për organizimin logjistik të menaxhimit të situatës me refugjatët, duke e organizuar transportimin e tyre me autobus nga pikat kufitare në pikat e grumbullimit në Preshevë dhe nga aty në drejtim të Beogradit.

Kryqi i Kuq i Serbisë intensivisht ofron lloje të ndryshme të asistencës ndaj refugjatëve që kalojnë kufirin maqedonas duke arritur në Preshevë çdo ditë dhe gjatë gjithë ditës, citohet të ketë thënë për Agjencinë Serbe të Lajmeve “Tanjug”, sekretarja e përgjithshme e Kryqit të Kuq të Serbisë, Vesna Milenoviq, transmeton B92.

Ndihma e Komisionit të OKB-së për Refugjatë ndaj Serbisë në kohën kur numri i refugjatëve po vazhdon të rritet, ka arritur shifrën deri në 1 milion euro dhe përpjekjet janë për të ngritur mbështetjen financiare deri në 5 milionë euro, shkruan “B92”, duke cituar zyrtarët e UNHCR-së.

Besohet se rreth 50 mijë refugjatë kanë lënë gjurmët e tyre në arat e thatësirës së Serbisë Jugore duke vazhduar shtegtimin e tyre. Rreth 70% e tyre janë të ardhur nga lufta civile e Sirisë, ndërsa të tjerët nga Iraku, Afganistani dhe Pakistani, i ka treguar Gazetës Jeta në Kosovë Agon Ajeti, nga Aksioni Rinor për Refugjatë në Preshevë.

Por adresat ku synojnë të arrijnë refugjatët nuk janë shumë mirëpritëse për t’i lejuar që të nisin një jetë të re. Gjermania është një objektiv për një përqindje të lartë të qindra e mijëra njerëzve që u përpoqën për të arritur tokën evropiane në këtë epokë që tanimë është emëruar si kriza më e rëndë e refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Gjermania tanimë ka vënë në funksion ushtrinë e saj, por jo për t’i ruajtur kufijtë, por për t’i siguruar refugjatët dhe për të ngritur strehimore të përkohshme me kushte të mjaftueshme për jetesë.


Hani i Elezit, KOSOVË – Tetor 2014 – Një shqiptar duke e tërhequr një trup të prerë peme, për t’i ngrohur fëmijët e tij në mbrëmjen e ftohtë tetori në jug të Kosovës. (Foto: Laura Aggio)

Hani i Elezit, KOSOVË – Tetor 2014 – Një shqiptar duke e tërhequr një trup të prerë peme, për t’i ngrohur fëmijët e tij në mbrëmjen e ftohtë tetori në jug të Kosovës. (Foto: Laura Aggio)

EKSODI I BALLKANIT PA LUFTË

Kriza humanitare me refugjatët e Lindjes po trajtohet nga mediet ndërkombëtare, por ajo që u identifikua ndryshe si ‘Eksodi Ballkanik‘, nuk është trajtuar aq seriozisht nga mediet vendore, sidomos në Kosovë. Po e shkruaj kështu, pasi mediet në Kosovë nuk ishin të interesuar të gjurmonin mbi shkaqet e vendimit të mbi 230 mijë shqiptarëve për të braktisur vendin.

Braktisja masive në Ballkan nuk kishte nisur vetëm me Kosovën e rrethuar me kodra e male e pa dalje në det, me sa duket të gjithë njerëzit e Ballkanit janë lodhur nga mizoritë e korrupsionit masiv i cili është i vetmi fenomen që e ka kapluar vetëdijshëm politikën e ballkanit, e cila kryesisht përbëhet nga njerëz me të kaluar dhe të tashme të dyshuar kriminale, shumë prej tyre, të cilët i përkasin epokës së kryengritjeve të përgjkashme në gadishullin e vogël e problematik të Evropës Lindore.

Në muajt e parë të 2015-së, besohet se rreth 20 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria në një përpjekje për të kërkuar azil ekonomik në Gjermani. Një vlerësim i 10 deri në 35 mijë janë larguar nga Serbia këtë vit dhe rreth 68 mijë e braktisën Bosnje dhe Hercegovinën, thonë raporte të ndryshme.

Le t’i hedhim një sy se çfar ndodhi me Kosovën, fqiun jugor të Serbisë, vend i banuar me popullsi shumicë shqiptare, të cilët ishin pjesë e Jugosllavisë, ku pas një konflikti ndërmjet forcave Jugosllave të Serbisë dhe kryengritësve shqiptar në vitin 1999, NATO ndërhyri me 78 ditë sulme ajrore kundër Serbisë, duke u përpjekur për të ndalur masakrën dhe spastrimin etnik që po ushtrohej ndaj shqiptarëve të Kosovës, nga forcat serbe të cilat kishin shkaktuar një kryengritje të gjerë në rajon.

Ndërhyrja e NATO-s përfundimisht detyroi kuvendin serb për t’i dhënë autonominë politike Kosovës, ndërsa duke e mbajtur atë brenda kufirit të saj territorial. Nëntë vjet pas përfundimit të luftës, Kosova shpalli pavarësinë e saj, por statusi i saj si Republika e vetë shpallur e Kosovës është njohur vetëm nga 111 vende prej 193 shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Kosova është vendi më i varfër dhe më i izoluar në Evropë, me politikanët milionerë të zhytur në krim. Një e treta e fuqisë punëtore është e papunë dhe korrupsioni është i përhapur kudo. Rreth dy në tre nën moshën 25 janë aktualisht të papunë, dhe gati 50% e 1.8 milionë qytetarëve të Kosovës konsiderohen të jenë të varfër. Në dhjetorin e vitit që e lamë pas, mijëra kosovarë janë detyruar të braktisin vendin në një përpjekje për të gjetur jetë më të mirë, studime dhe vende pune më të dinjitetshme.

Ikjet masive me autobusë i ngjasonin kohës së sundimit nga njeriu i fortë i Beogradit Sllobodan Millosheviç, kur ai dëshironte një Kosovë pa shqiptarë. Por, duke i shpëtuar gjykimit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për thuajse të gjitha luftërat e zhvilluara në ish-Jugosllavi, pasi kishte gjetur vdekjen gjatë një procedure gjyqësore në tribunalin ndërkombëtar për krime lufte, Hagë.

Një pjesë e të ikurve shqiptar, zakonisht përfundonin nëpër burgjet hungareze, siç edhe ishte konfirmuar se mbi 2,000 etnik shqiptarë ishin kapur nga autoritetet e sigurisë duke kaluar në kufijtë evropian në mënyrë ilegale gjatë vitit të shkuar.

Dosjet e NATO-s të botuara në vitin 2011, në mediat ndërkombëtare, treguan se Shtetet e Bashkuara dhe disa prej fuqive të tjera perëndimore që mbështesin qeverinë e Kosovës, kanë pasur njohuri të gjerë (për disa vjetë!) të lidhjeve kriminale të ish kreut të kryengritësve dhe njëherit kreut të PDK-së Hashim Thaçi dhe të disa prej anëtarëve të subjekteve të tjera politike në vend.

Ata që nuk janë pjesë e sistemit të Kosovës vështirë se kanë një shans të largohen nga varfëria, pavarësisht nga fakti se Kosova merr më shumë ndihma të huaja se çdo vend tjetër për kokë banori. Projekti i BE-së për misionin e saj për sundim të ligjit me Polici dhe Drejtësi, i kushton 250.000.000 € taksapaguesve evropian, por EULEX-i dukshëm ka dështuar në zhvillimin e institucioneve kushtetuese dhe në luftën kundër korrupsionit, madje jo pak here personeli i këtij misioni është gjetur i përfshirë në veprimet kriminale.

Gjashtëmbëdhjet vjet qëkur lufta kishte përfunduar, Kosova vazhdon përpjekjen diplomatike për t’u ndarë nga Serbia, pavarësisht faktit që kritikët e këtij procesi e shohin atë si një gur-në-lumë për Serbinë dhe rrugën e saj drejt BE-së, e cila me arrogancën e saj të vjetër, asnjëhere nuk kërkoi falje për krimet e bëra dhe vazhdon me ngulm pretendimin territorial të Kosovës.

Në tetorin e vitit 2009, një histori e trishtuar i kishte ndodhur Kosovës, vetëm një vit pas shpalljes së pavarësisë, pesëmbëdhjetë shqiptarë të Kosovës vdiqën duke u përpjekur të kalojnë kufirin ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë nëpërmjet lumit Tisa, i cili është një kontribues i madh i rrjedhës së shpejtë të Danubit. Shqiptarët ishin refugjatë të cilët nga autoritetet u quajtën emigrantë të paligjshëm. Ata, në një përpjekje për të lëvizur nga Kosova në drejtim të vendeve të BE-së ishin fundosur në lum. Barka e tyre ishte përmbytur dhe shumica e tyre u mbytën. Shqiptarët e kthyer në refugjatë si rezultat i politikës kriminale në vend kanë qenë grupe familjare, dhe të vdekurit përfshijnë të paktën dy fëmijë, ngjashëm si familjet e Lindjes së Mesme që janë fundosur në ujërat e egjeut, trupat e të cilëve i sollën valët e detit përgjatë brigjeve të Libisë e Turqisë.

Jeta kualitative, lë shumë për të dëshiruar në Kosovë. Universitetet publike frekuentohen kryesisht nga të varfërit, edhe pse cilësia e studimeve është në prag të përmbytjes! Janë gjetur asistentë që kanë bankrotuar me nota, fakultete që prodhojnë diploma false e shumë plagjiatura baçelorësh, masterësh e doktorësh të profesorëve pa u ndëshkuar!

Eksodi shqiptar i fundvitit 2014, erdhi si pasojë e humbjes së shpresave për një jetë kualitative në vend. Rrugët nëpërmjet të cilave po shkelnin këmbë-zbathur shqiptarët vetëm nëntë muaj më parë, janë po ato, nëpërmjet të cilave po kalojnë sot refugjatët e lindjes së mesme.

Gjendja në Kosovën e rrethuar me kodra e male, pa dalje në det, mbetet e njejtë dhe shqetësuese, në një izolim thuajse hermetik.


Teksti dhe Fotografitë janë e drejtë ekskluzive e GazetaJNK.com/THEFrontliner.net — Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ky material është i hartuar vetëm për përdorim personal dhe shpërndarje të lirë për lexuesit. Çdo riprodhim tjetër, publikim ose rishpërndarje komerciale e këtij materiali pa pëlqimin me shkrim të redaksive përkatëse dhe autorëve është rreptësisht i ndaluar dhe çdo shkelje e këtyre rregullave apo të drejtave të autorëve do të konsiderohet veprim i kundërligjshëm. | ©GazetaJNK.com/Balkan Investigative Reporting Network/THEFrontliner.net/VXPictures.com — Gusht-Shtator 2015 | Fotografitë e realizuara nga Krenar Halimi dhe Laura Aggio.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s