Culture/Art

Filmi s’ka kuptim pa filozofinë

“Filmi s’ka kuptim pa filozofinë”, kështu na tha profesori dhe regjisori Isa Qosja. “Filmi frymon bukur, thellë dhe kuptimisht kur merr për shqyrtim filozofinë e jetës. Gati se nuk ka kuptim të folurit filmik pa u shprehur në mënyre filozofike dhe përmes filozofisë. E konsideroj se kjo lidhje është sublime, e pakontestueshme, e fuqishme dhe e domosdoshme për kinemanë e vërtetë,” vijoi Qosja.

Ernst Ingmar Bergman ishte drejtor suedez i filmit, shkrimtar dhe producent i cili ka punuar në film, televizion dhe teatër.

Ernst Ingmar Bergman ishte drejtor suedez i filmit, shkrimtar dhe producent i cili ka punuar në film, televizion dhe teatër.

Ne ia parashtruam pyetjen se cili është raporti mes kinemasë dhe filozofisë? E pyetëm se sa gjen shprehje filozofia në kinematografi? Kjo është një temë që sot gjerësisht shtjellohet nga qarqet akademike të filmit, si edhe ato të filozofisë. Për këtë pyetëm Isa Qosjen, profesor dhe regjisor, Arlind Qorin, profesor i teorive filozofike në Universitetin e Tiranës, dhe Glauk Konjufcën, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe studiues i filozofisë dhe raportit të saj me filmin.

“Filozofia e kinemasë është që të synohet filozofia,” na tha Qosja, për të vazhduar me potencimin e disa regjisorëve të mëdhenj që kanë ndërlidhur shkëlqyeshëm këto dy lëmi të pazgjidhshme, si “Karl Drajeri apo Fric Langu, ose me vonë Ingmar Bergmani, Kurosava e Tarkovski, por edhe Stenli Kjubriku, që i kanë ngritur përmendore filozofisë përmes kinemasë që e kanë bërë ata. Të mos harrojmë se po e zëmë veprat e para të mëdha kinematografike e kanë sjellë Kurosavën në makrokozmosin kinematik, duke e trajtuar filozofinë e të vërtetës, e cila e mbron doktrinën se e vërteta nuk mund të shpjegohet, ajo duhet të përjetohet”. Kurse për regjisorin Bergman, Qosja tha se raporti mes shpirtit të njeriut dhe realitetit njerëzor e ka sjellë atë në piedestalin e më të mëdhenjve në botën e shiritit të celuloidit.

“Njeriu dhe kozmosi si hapësirë e pushtimit të shkretuar, i kanë dhënë Kjubrikut ulëse me filozofët e kinemasë botërore, ndërsa nostalgjia për realitetin e shpërfillur e kanë sjellë Tarkovskin mes atyre që i kanë dhënë kuptim idesë së kinemasë që shprehet me filozofinë apo filozofisë që flet përmes kinemasë,” tha Isa Qosja për fund, duke potencuar edhe të ashtuquajturën “valë të zezë franceze”, kur trajtohej filozofia e shpirtit të shitur për ekzistencën edhe Godarin e Trifonë që shtjellojnë “ndjenjën më sublime që sfidohet nga materializmi”.

Glauk Konjufca, përgjigjen për “Zërin” e nisi duke marrë shembullin e “Arti i Romanit” të Kunderës, ku shkruan se çdo moment në letërsi e ka ekuivalentin e vet në filozofi. “Pak a shumë kështu e mendoj edhe relacionin mes filmit e filozofisë. Nëse filozofia është fusha e ‘prodhimit të koncepteve’, siç do të shprehej filozofi Deleuze, filmi do të ishte përmasa e krijimtarisë njerëzore që të njëjtat brenga i paraqet përmes prodhimit të imazheve dhe pamjeve. Kjo është arsyeja pse një regjisor i madh gjithmonë është një mendimtar i thellë, një filozof autentik,” tha në vijim Konjufca.

Më tej, ai mori shembullin e Bergmanit, që ai e quajti si regjisorin më të madh, që “një herë pati thënë që vetia kryesore e një regjisori të vërtetë është kapaciteti i të qenit i provokuar në mënyrë të veçantë. Po s’e pate aftësinë e tronditjes nga ngjarjet e jetës, nuk mund te jesh as regjisor i mirë e as mendimtar i zoti. Kjo është predispozita themelore e të bërit filozofi dhe film: të zhvendosesh dhunshëm jashtë realitetit si dimension i vetvetishëm dhe i vetëkuptueshëm. Jam i vdekur në momentin që më lëshon imagjinata: ajo është gjithçka kemi – thoshte Bergman-i.” Tutje, Konjufca shpjegon se si Bergmani thotë se refleksionet metafizike e shtyjnë të prodhojë filma. “Pra, Bergmani është një filozof që e ka kapacitetin e çuditjes dhe provokimit. Ai e shpreh mendimin e tij përmes konstruktimit të situatave që i pajis me pamje,” vazhdon Konjufca elaborimin e tij për “Zërin”.

Ai na tha po ashtu se në filozofi, ashtu sikurse në film, por po aq edhe në letërsi “besoj në autonominë estetike të formës, që parapëlqej ta quaj stil,” duke përmendur Deleuze-n që thotë se stili është hapësira e tendosur brenda të cilës puqja e koncepteve krijon shkëndija. Në këtë kuptim, filmi, ashtu sikurse filozofia, është prodhim autentik i gjuhës. “Filmi nuk është përshkrim, as imitim. Këtë e kupton kur e shikon, ta zëmë, filmin monumental të Murnau-s, Fausti (1926). Fausti i Murnau-s nuk është riprodhim i atij të Goethe-s. Murnau e krijon Faustin e tij. Bile në njëfarë mënyre, ashtu sikurse Borges-i thotë për parabolën e Kafka-s që i jep kuptim Zenonit dy mijë vjet prapa, në po të njëjtën analogji, Fausti i Murnau-s e ridefinon atë të Goethe-s,” shpjegon për fund Konjufca, duke këmbëngulur se raporti mes filozofisë mbetet asimetrik dhe filmi filozofik nuk ekziston e në rastin më të mirë – ai do të ishte një film i dobët.

Kurse, Arlind Qori e quajti kinemanë si art paradoksal dhe u ndal në shpjegimin e filozofit Badiou, që thotë se në raportin midis filozofisë dhe katër procedurave të së vërtetës (politikës, shkencës, dashurisë dhe artit), filozofia është “dhuna” që mendimi u bën lidhjeve paradoksale. “Njëra nga këto lidhje paradoksale gjen vend te kinemaja, në të cilën bashkekziston elementi demokratik (kinemaja si art “par excellence” masash, ku masat janë nocion mirëfilli politiko-radikal dhe energjia e çliruar masive është përmbytëse) me atë aristokratik (si çdo formë arti, edhe kinemaja është elitare në tentativën për risi formash dhe në regjistrat e dallueshëm të shijes),” na tha ndër të tjera profesor Qori.

Më tej, Qori ceku se për Badiou-në, veçantia e kinemasë si art shpaloset në pesë shtylla: “1. Kinemaja është art i imazhit. 2. Njëpasnjëshmëria e imazheve zhvillohet në kohë. 3. Kinemaja merr dhe filtron prej arteve të tjera dhe jo vetëm i popullarizon ato, por edhe ua nxit karakterin demokratik. 4. Kinemaja është art i të pakulluerës, i kufirit midis artit dhe joartit. 5. Kinemaja është arti i fundit etik, vendi ku shpalosen dilemat e mëdha morale të njerëzimit”.

Për fund, në pyetjen se ç’efekte ka kinemaja në filozofi, profesor Qori e shpjegoi se si sipas Badiou-së, filozofia e kinemasë mund t’i lërë vendin filozofisë si kinema, ku dialektika e imazhit të shërbejë në shndërrimin e filozofisë në filozofi masash.


Zëri.info

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s