Macedonia

Për kë bien kambanat në Maqedoni?*

Po përsëritet thuajse në mënyrë tautologjike se protestat e thirrura nga kreu i Lidhjes Social-Demokratike të Maqedonisë, Zoran Zaev, po promovojnë ‘shpirtin  multi-etnik’, diçka që është shtypur me dhunë në këtë shtet të flashkët. Një numër mediesh në Prishtinë, analistë si dhe tek-tuk ndonjë subjekt politik, sajojnë imazhe të gënjeshtërta idilike sesi maqedoni, shqiptari, turku e serbi bëhen bashkë për të flakur zgjedhën e Gruevskit.

Në prapakthim, kjo përfton përshtypjen sikur problemi në Maqedoni fillon e mbaron me Gruevskin dhe se heqja e tij do të kthente gjithçka në natyrshmërinë e vet. Për syrin e pastërvitur mund të duket vërtet kështu por problemi në Maqedoni është larg më i ndërlikuar sesa kaq.

Fenomeni ‘Gruevski’ është situacional: Gruevski nuk e prodhoi gjendjen aktuale, por pabarazia strukturore në linja etnike prodhoi Gruevskin. Zaten, gjithçka zanafillon me përpjekjen e lënë në gjysmë për rimodelimin e Maqedonisë. Marrëveshja e Ohrit është në diskrepancë të plotë me dinamikën e përgjithshme në Maqedoni. Një lexim sado i thjeshtë i tekstit të kësaj Marrëveshjeje të lë përshtypjen se ajo plotëson vetëm ekzigjencat e Perëndimit që gjakon në mbajtjen e një paqeje, pavarësisht çmimit të saj. Kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni janë larg më të mëdha sesa kufizat që parasheh kjo Marrëveshje.

Përderisa Maqedonia vazhdon të ndjesohet si shtet ekskluziv i maqedonasve, partitë në pushtet nuk do të shqiten nga ky kurs. Një zhvillim retrograd është se shqiptarët po de-subjektivizohen edhe më ngase të dy rreshtimet politike po i përdorin për hesape të veta. Si Zoran Zaevi ashtu edhe Nikolla Gruevski në protesta e kundër-protesta po llogarisin në shqiptarët në rrokadat kundër shoqi shojt. Mitingu i opozitës i cili mblodhi mbi 20 mijë qytetarë në Shkup, jep një ogur sesi do të jetë një qeverisje tjetër në Maqedoni në rast se supozojmë se sigurohet një ndërrim rotativ i pushtetit. Protesta në fjala shquhej me një larushi flamujsh e pjesëmarrësish, që në Bruksel e gjetkë shihej me mallëngjim sikur të ishte një pasqyrim i përbashkësisë së njerëzve në Maqedoni pavarësisht etnisë së tyre. Përtej këtyre simbolizmave gati të pavlerë, protesta ishte fund e kryeje një parakalim i nacionalizmit sllavo-maqedonas, një dëshmi tjetër se edhe social-demokratët në Maqedoni nuk shqiten nga seti i etno-simbolikës së nacionalizmit maqedonas. “Makedoncite se borat/ za svoite pravdini!”, kështu këndonte një këngëtare nga podiumi përballë protestuesve, në mesin e të cilëve ishin edhe disa qindra shqiptarë.

Gjatë ditëve në vijim mund të ndodh që Zaevi të përdor edhe skenarë të tjerë. Ai prej muajsh ka paralajmëruar se do t’i bëjë publike përgjimet mbi rastin ‘Monstra’, të cilat sipas tij, dëshmojnë falsitetin e këtij procesi dhe dënimin e shqiptarëve pa kurrfarë prove. Megjithatë, kreu i opozitës maqedonase deri më tani nuk e ka bërë një gjë të tillë. Fare lehtë mund të kuptohet se ai është në pritje të momentit të përshtatshëm për të vënë në lojë këtë kartë rezervë. Zbardhja e të vërtetës për rastin ‘Monstra’, i cili do të jepte përmasën e frikshme të drejtësisë në Maqedoni që i ngjet romaneve të Franc Kafkës, do të yshte një valë të papërmbajtshme zemërate kudo ndër shqiptarë. Ajo çka do të pasonte janë protestat që do të përshkallëzoheshin në përleshje të gjera midis protestuesve shqiptarë dhe njësive speciale të Policisë. Në një skenar të tillë, sukseset për Zaevin do të ishin të pallogaritshme. Në radhë të parë, ai do të tejçonte mesazhin para Perëndimit se Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë është një opozitë e moderuar përballë shqiptarëve që do të interpretoheshin si ‘ekstremistë’.

Shqiptarët në Maqedoni janë qerthulluar keqazi në skenare të rrezikshme, diçka që pashmangshëm ngjan me ‘Revolucionin’ xhon-turk në vitin 1908. Edhe asokohe, shqiptarët pjesërisht nga naiviteti e pjesërisht nga rrethanat e rënduara u bënë pjesë e kësaj lëvizje që tronditi themelet e Perandorisë Osmane. Ajo çka prodhoi ky ‘revolucion’ ishte etablimi i një centralizimi otoman i cili i zhveshi shqiptarët edhe nga ato pak të drejta që gëzonin. Edhe tani, shqiptarët rrezikojnë të bijnë viktimë e halucinacioneve të tilla, duke u bërë objekt dhe jo subjekt i zhvillimeve. Nëse operojmë me terma hegelianë teza-antiteza dhe sinteza, atëherë rrjedhimi i natyrshëm është krijimi i një vetëdije të re ndër shqiptarë për të bojkotuar një shtet i cili nuk përfaqëson ata. Nëse dy partitë kryesore politike shqiptare në Maqedoni, BDI dhe PDSH nuk zërojnë nevojat jetike, atëherë shqiptarët nuk janë të obliguar t’i përgjigjen një shteti të tillë që i zhvesh nga çdo e drejtë, që i desubjektivizon e i varfëron nga dita në ditë. Është e njëjta sikur atëherë kur plebejtë e varfër braktisën Romën e zaptuar nga patricët, duke kërcënuar se do të themelonin shtetin e tyre të pavarur. Ky kërcënim i masave plebeje i sprapsi patricët romakë, të cilët nisën të bënin lëshime në drejtim të barazisë politike.


Koment i lexuar n’Radio Kosova e Lirë (17 maj)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s