Film

“Zërat e pafajshëm” të fëmijërive të këputura

“Zërat e pafajshëm” (“Voces Inocentes”) është film meksikan i vitit 2004, realizuar nga regjisori Luis Mandoki. Tematika e filmit bazohet në Luftën Civile të Salvadorit (1979-1992), gjegjësisht në praktikën çnjerëzore të rekrutimit të fëmijëve të vegjël nga ana e ushtrisë së diktaturës. Filmi bazohet në një ngjarje të vërtetë.

Shteti i Salvadorit është më i vogli në Amerikën Qendrore dhe njëherazi më i varfëri. Në fund të viteve ’70-a atje nisi një luftë civile. Opozita e majtë radikale, duke e parë që diktatura e juntës ushtarake s’po i linte hapësirë manovrimi përbrenda kounturave konstitucionaliste e demokratike, e pa të udhës të kapte armët, të dilte maleve dhe të luftonte për lirinë e popullit prej diktaturës shumëdekadëshe dhe për arritjen e drejtësisë shoqërore në vend. Në anën tjetër diktatura gëzonte përkrahjen e qeverisë amerikane, e cila gjatë Luftës Civile e ndihmoi me mbi një miliard dollarë armatime.

Autori Fitim Salihu | ©THE Frontliner

Autori Fitim Salihu | ©THE Frontliner

Më 1979 u formua Fronti “Farabundo Marti” i Çlirimit Kombëtar (FMLN), një ombrellë e shumë organizatave politike marksiste dhe revolucionare, që përmes revolucionit synonin ta rrëzonin diktaturës e ushtarakëve. Lufta pati pasoja të përgjakshme dhe prapëseprapë guerilët marksistë nuk ia arritën synimit të tyre. Më 1992 u detyruan që të nënshkruanin armëpushimin me qeverinë e juntës ushtarake. FMLN-ja u shndërrua në parti politike që njihte sistemin politik të vendit dhe sot e asaj dite garon në zgjedhje. Madje, aktualisht, presidenti i Salvadorit,  Salvador Sançez Seren, vjen nga radhët e FMLN-së.

Por, ndonëse lufta mbaroi, kujtimi i saj i vjen përqark Salvadorit po si një hije. Ajo pati pasoja katastrofike humanitare, ekonomike dhe shoqërore. Mes 70 dhe 80 mijë llogaritet të jetë numri i të vrarëve nga kjo luftë, të cilës, kur t’i shtohen edhe afër dhjetë mijë të zhdukur dhe afër një milion të shpërngulur, i kuptojmë përmasat e vërteta të llahtarshme të kësaj Lufte Civile.

Lufta Civile në fjalë është strumbullari edhe i “Zërat e pafajshëm”. Është historia e një familjeje salvadoriane dhe njëherësh historia e shumicës së familjeve salvadoriane të asaj kohe. Janë tmerret, ndeshtrashat, përpëlitjet, lemeritë që i kaloi secila familje e Salvadorit gjatë atyre viteve të ethshme.

Konkretisht, tek filmi në fjalë është historia e Çavos, djaloshit 11-vjeçar dhe familjes së tij. Ngjarja zhvillohet në vitin 1986. Por, në fillim të luftës, kur ai ishte vetëm pesë vjeç, i ati merr udhët e mërgimit për t’u nisur drejt SHBA-së, ashtu që t’ua siguronte fëmijëve të tij një jetë më të mirë. Çava mbetet në shtëpi me të ëmën dhe motrën e vëllanë, më të vegjël se ai. Fshati ku jetojnë ata është arenë luftimesh mes guerilëve marksistë dhe forcave të rregullta ushtarake. Që të tërë banorët e fshatit janë shumë të varfër, me kushte të mjerueshme jetese dhe jetojnë në kasolle të drunjta, gati të rëna për tokë.

Forcat e rregullta ushtarake të diktaturës e kishin bërë zakon që të gjithë djemtë, sapo mbushnin dymbëdhjetë vjeç, t’i merrnin e t’i fusnin me përdhunë radhëve të ushtrisë. Ashtu ndodh edhe me shokët e Çavës. I ndajnë nga lodrat e fëmijërisë dhe i rekrutojnë për luftë. Skena të prekshme që shpërfaqin çnjerëzon e diktaturave, që shkatërrojnë jetësh të rriturish e këpusin fëmijëri, sikurse këputen pemët e papjekura.

Kela, nëna e Çavës, për ta siguruar bukën e gojës së fëmijëve të saj punon si rrobaqepëse, e fustanet që i qep ajo, Çava i vogël del dyqaneve të qytetit dhe i lut që t’ia blejnë. Po ashtu, pas orëve të mësimit, ai punon edhe si konduktor në një autobus, ku nxjerr ca të holla që ia dorëzon nënës së vet. Ai më së paku mund të quhet fëmijë. Në fakt, është një fëmijë i rritur, një burrec që jeta me halle e skamje e ka rritur para kohe.

Një ditë në kasollen e tyre vjen për vizitë Beto, daja i Çavës. Ai është gueril në male me FMLN-në dhe thotë se do ta marrë Çavën për ta shpëtuar nga rekrutimi i ushtrisë. Kela nuk ia jep djalin, por Beto ia lë si kujtim Çavës një radio me të cilën mund ta dëgjonte radion ilegale të guerilëve, Radio “Venceremos!” dhe i premton se do të vijë një ditë që ta shpëtojë nga rekrutimi.

Kur Çava i vogël mbush dymbëdhjetë vjeç, daja Beto dërgon një korrier për ta paralajmëruar se të nesërmen vjen ushtria në fshat për t’i rekrutuar fëmijët. Pasi që përmes traktesh kishin lajmëruar gjithë fshatin, të nesërmen, Çava me shokë fshihen pullazeve për të mos i kapur ushtria e urryer. Paskëtaj, ata nisen drejt maleve për t’u bashkuar me guerilët marksistë  – edhe për ta shpëtuar kokën edhe për të kontribuar në afrimin e lirisë.

Natën e parë në bazën guerile i sulmon ushtria dhe Çaviton me shokë i marrin rob. Kjo është edhe skena hyrëse në prologun e filmit, ku dëgjojmë zërin fëmijëror të Çavitos duke thënë përmallueshëm “jam i etur… këmbët po më dhembin. Kam guralecë në këpucë. Me siguri se do të na vrasin. Por pse do të na vrasin nëse ne nuk kemi bërë ndonjë gjë?!” Çavos ia vrasin dy shokët e tij bashkëmoshatarë gjakftohtësisht me plumb pas koke, teksa ai bashkë me ata të dy ishin gjunjëzuar buzë një përroske. Kur vjen radha që të ekzekutohet Çavo i vogël, guerilët i sulmojnë ushtarët dhe ia shpëtojnë jetën atij. Ai kthehet në fshat, e gjen të tërin në flakë dhe kasollen e tij shkrumb e hi.

Nëna me motrën dhe vëllanë e vogël kishin ikur para se të arrinin në fshat ekspedita ndëshkuese e ushtrisë. Ai takohet pas pak me ta dhe nëna vendos që Çavon dymbëdhjetë vjeç ta nisë për në SHBA, me shpresën se pas gjashtë vjetësh do t’ia dilte ta merrte edhe vëllanë e tij e vogël, para se edhe ai t’i mbushte dymbëdhjetë vjeç dhe të rekrutohej prej ushtrisë. Në fund të filmit, tregohet se Çavo u kthye pas gjashtë vjetësh pa u parë me familjen dhe e mori në SHBA edhe vëllanë e vogël, ndonëse lufta sapo kishte përfunduar.

Historia e Çavos s’është veç e Çavos. Është histori e miliona Çavove tejendanë globit që përditë rekrutohen dhunshëm dhe ia marrin nga duart lodrat për t’iu dhënë kallashnikovë. Paçka që është i dënueshëm me të gjitha ligjet kombëtare e ndërkombëtare, rekrutimi i minorenëve për luftë është një dukuri që prore vazhdon të na shqetësojë. Llogaritet se sot mbi treqindmijë fëmijë rekrutohen dhunshëm në mbi 40 konflikte në mbarë botën.


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s