Film

Sharmi diskret i borgjezisë

“Le charme discret de la bourgeoisie” (1972) është film surrealist i kineastit Luis Bunjuel që shtjellon temën e mendësisë dhe tipareve të shoqërisë elitare borgjeze përmes një humori të hollë satirik, një humori tejet arbitrar, një “dialektike ironike”, siç e quante Treviti, një kritik filmi.

Bunjueli u lind dhe u rrit në Spanjë, u zhvillua e u formësua në Francë dhe pjesën më të madhe të jetës e kulmin intelektual e mbërriti në Meksikë. Ai ishte mik i piktorit Salvador Dali dhe i shkrimtarit Gabriel Garsia Lorka. Më 1925 shkoi për të jetuar dhe punuar në Francë, gjersa më 1929, në moshën 29 vjeçare, realizoi filmin e tij të parë, “Un Chien Andalou” (“Një qen andaluzian”), një film me atribute frojdiane e që e realizoi në bashkëpunim me Dalin. Më 1930 ndërpret marrëdhëniet miqësore me Dalin gjatë bashkërealizimit të filmit të dytë të tyre, “L’Age d’Or” (“Epoka e artë”), pasiqë Bunjueli mbante qëndrime politike majtiste me synim demaskimin e të gjitha institucioneve borgjeze, teksa Dali mbante krahun e Frankos dhe aristokracisë evropiane.

Bunjueli kthehet në Spanjë dhe më 1931 i bashkohet radhëve të Partisë Komuniste, ndonëse më vonë do ta mohonte të ketë qenë ndonjëhere komunist. Gjatë luftës civile u vu në shërbim të forcave republikane, posaçërisht në seksionin e propagandës. Pas luftës kaloi në ShBA ku qëndroi gjer në fund të Luftës së Dytë Botërore, për të kaluar krejt në fund në Meksikë.

Gjithë filmat e Bunjuelit shquhen nga imagjinata surrealiste e, tek autobiografia e vet “Mon Dernier soupir”, ai do ta quante surrealizmin si “lëvizje poetike e revolucionare”. Andre Bretoni, prej surrealistëve të parë, do të quante Meksikën “vendin më surrealist në botë” dhe prandaj për shumë kritikë filmi kjo qe edhe arsyeja pse Bunjueli vendosi të jetonte atje, ku, në dallim prej Evropës apo ShBA-së, tek kultura meksikane gjente dromca kulturore surrealiste. Pos kritikës therrëse ndaj mentalitetit borgjez, filmat e Bunjuelit njihen si shumë kritike edhe ndaj Kishës, katolicizmit dhe religjionit përgjithësisht. Siç thoshte vetë Bunjueli, “jam ateist, falë Zotit”. Skenat me prirje antireligjioze mund të shihen shpesh në filmat e tij, që prej “Një qen andalizuan” (ku mbi piano shohim dy priftërinj të vdekur përkrah dy gomarëve dhe “Dhjetë Urdhëresave”) e gjer tek “El ángel exterminador” (skena përmbyllëse e filmit kur pasiqë njerëzit bllokohen në kishë, në oborrin e saj shohim ca dele që hyjnë në të si kurban).

Karakteristike për teknikën e incizimit të filmave të Bunjuelit është ekonomizimi i kohës. Filmat e tij xhiroheshin kryesisht për pak javë dhe poashtu montoheshin shumë shpejtë, pakashumë njëjtë sikurse Hiçkoku që shquhej për saktësi e precizitet gjatë realizimit teknik të filmave të vet. Ai karakterizohet edhe nga një veçori – kryesisht punonte me një kastë pothuajse të njëjtë aktorësh. P.sh., Fernando Rej – që tek “Sharmi diskret…” luan rolin e ambasadorit Akosta – nga shumë analistë quhet alter ego e Bunjuelit. Ose, p.sh. Gabriel Figueroa ka qenë kameramani i preferuar i Bunjuelit që ka marrë pjesë në xhirimet e shtatë filmave të tij.

Luis Bunjueli është fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare me renome. Ai vdiç më 1983. “New York Times” do ta quante “ikonoklast, moralist e revolucionar që ishte prijatar i surrealizmit avangard në rini të tij dhe regjisor filmi me famë ndërkombëtare gjysëm shekulli më pas.”

“Sharmi diskret i borgjezisë” pandeh të nxjerr në pah veset më të ulëta të shoqërisë borgjeze. E tërë ngjarja zhvillohet rreth gjashtë personazheve, me pesë darkat e tyre dhe katër ëndrra që, në fund dalin të jenë ëndrra brenda ëndrrave, të ndërprera e të përfunduara nga një shëtitje e kotë drejt askundhiçit, njëlloj siç ishte vetë jeta e tyre – e kotë e drejt askundhiçit. Këto ndërprerje mes skenave të filmit – por edhe ndërprerjet e tjera brenda tij, si p.sh. skena me ushtarët francezë apo revolucionarët e Mirandas – janë momente të shpërfaqjes së fantazisë të vetë ndërgjegjies borgjeze, si manifestime të Reales lakaniane.

Strumbullari janë pesë darkat e tyre të çuditshme (darka e çuditshme është strumbullar edhe i veprës tjetër të madhe të Bunjuelit, “El ángel exterminador” i 1962-s). Bunjueli po aq sa përdor darkat mondane, përdor edhe ëndrrat për të zgjidhur pleksjen e mentalitetit të shoqërisë elitare dhe babëzisë e dekadencës së tyre. Nill Sinjard do ta quante regjisor par excellence të sekuencave të ëndrrave.

11150598_10206418039349563_959463178577056218_nFilmi realizohet përmes vënies në pah të perversiteteve të kësaj kaste. Madje perversiteti del si komponent në vetvete i ideologjisë borgjeze dhe pasqyron kotësinë e vetë ekistencës së saj. Jeta e kotë, ngarendja pas luksit, konsumerizimit e kënaqësive materiale, perfiditeti, dekadenca, shthurrja morale, mashtrimi, tradhëtia, hipokrizia, injoranca, etj. – janë karakteristika e simptoma që Bunjueli ia përshkruan shoqërisë elitare borgjeze. Tërë këto simptoma e antagonizma s’mund të mos shikohen me lenta marksiste. Madje filmin do ta quaja si “proto-zhizhekian”, pasiqë ngërthen, njëjtë sikur “The Sublime Object of Ideology” i Zhizhekut, një kombinim të shqyrtimit marksist dhe frojdian të këtyre simptomave.

Personazhi kryesor i filmit është don Rafael Akosta (Fernando Rej), ambasadori i Republikës (fiktive) amerikanolatine të Mirandas. Regjisori na sjell ambasadorin në dritë të vërtetë: diplomat mediokër që merret me trafik narkotikësh, që vjen prej një vendi të vogël totalitar e të korruptuar e që teksa bën jetë luksi në Paris, e ka për detyrë ta shtrembërojë e ta zbukurojë realitetin e vendit prej nga vjen. Ai tërë kohën përcillet dhe është cak i atentateve prej një organizate guerile të të rinjve majtistë prej vendit të tij.

Në njërën skenë, pasaniku Fransua, thërret shoferin e tij ta provojë një gotë të pijes ‘Martini’, si për t’ua dëshmuar të tjerëvë se si klasat e ulëta nuk dijnë të pijnë si duhet dhe janë të pazhvilluara në çdo aspekt. Apo kur monsinjor Dyfor hyn në shtëpi i veshur si kopshtar ai nxirret jashtë i kapur për krahu prej Anrit, pronarit të shtëpisë. Por kur ky e kupton se ai është prift, kthehet e merr me të mirë dhe i kërkon falje. Njeriu gjykohet vetëm prej klasës që i takon. Më vonë, Dyfori teksa ftohet që t’ia jap bekimin një plaku që vdes dhe kërkon të rrëfehet, e kupton se ai në fakt është ish-kopshtari që ia kishte vrarë atij prindërit kur ky kishte qenë i vogël. Pasiqë me fjalë e falë plakun, prifti Dyfor pas pak sekondash kap pushkën dhe e vret atë. Hipokrizia ishte pjesë e tërë ideologjisë, e Bunjueli nuk i kursen aspak Kishën e priftërinjtë, përkundrazi.

Në film, sa herë që kemi fjalime apo proklamime politike, seç fillon zhurma urbane. Artikulimin politik e mbulon zhurma e pakuptimtë e jetës së përditshme të klasës së mesme urbane. Kësisoj, Bunjueli, jo vetëm përmes figurës dhe lojës së aktorëve, por edhe përmes zhurmës demaskon indiferencën e borgjezisë.

Skenat nga ëndrrat e tyre – si p.sh. krejt në fund kur ambasadori Akosta kapet prej vrasësve teksa del prej tavolinës ku po fshihej vetëm për ta marrë një copë mishi – flasin se si një shoqëri konsumeriste bie vetë viktimë e vetvetes, qoftë edhe përmes imagjinares apo ëndrrave të veta perverse. Siç thonë Gatari e Dëlyzi, njeriu kthehet në një desiring machineqë vazhdimisht rend pas kërkesave të reja që i mekanizon e i vë në shërbim të kënaqësive të veta, si kultivim i dëshirave në kapitalizëm, si logjikë perverse e vetvetes.

Filmi s’mund të shkëputet as nga rrethanat historike të vitit 1972 kur u realizua e as nga ngjarjet e asaj kohe, sidomos rritjes së maoizmit revolucionar tek rinia franceze, por edhe tek rinia e vendeve të tjera të Evropës Perëndimore, ShBA-së dhe Amerikës Latine. Studiuesja serioze e Bunjuelit, Rebeka Pauli tek eseja e saj “A Revolution Is Not a Dinner Party” thotë se “Sharmi diskret…” u krijua në kulmin e Revolucionit kulturor kinez dhe është paraqitje skenike surrealiste e epokës së vet.

Megjithatë, Bunjueli asnjëherë nuk bën aludime të qarta politike, duke u vetëmjaftuar me narracionin abstrakt të filmit dhe me një lloj nihilizmi artistik. Shumë kritikë filmi prandaj e kritikojnë Bunjuelin se tek “Sharmi diskret…” i shmanget trajtimit direkt politik të jetës së përditshme të borgjezisë dhe bazës materiale të marrëdhënieve në prodhim që e ka krijuar atë.

Filmi “Sharmi diskret i borgjezisë” fitoi çmimin Oskar si filmi më i mirë i huaj. Vetë Bunjueli e quajti si pjesën e dytë të një trilogjie që nis me “La Voie lactée” më 1969 dhe mbaron me “Le fantôme de la liberté” më 1974.

Ky nuk është filmi i vetëm ku Bunjueli prek tematikën e jetës mondane. “Cet obscur objet du désir”, “L’Âge d’or”, ” El ángel exterminador”, “Belle de jour”, “Le fantôme de la liberté”, etj. janë vetëm disa prej filmave të tij ku merret me këtë tematikë. Filmografia e Bunjuelit nuk qëndron larg përshkrimit të thukët të mentalitetit borgjez tek “Buddenbrooks”, romani i Tomas Manit, tek “Les Rougon-Macquart” i Emil Zolës, tek “Le Bourgeois gentilhomme” i Molierit apo tek “Foma Gordeyev” i Gorkit.

Fakti që Bunjueli dhe “Sharmi diskret i borgjezisë” vazhdon të jetë aktual dhe sot flet më së miri për epokën tonë historike, politike e ekonomike. Kur ta keni shikuar këtë film s’është që do t’i gjeni përgjigjiet e këtyre problemeve. As kur ta lexoni këtë analizë. Janë thjesht copëza mendimesh të mbledhura prej një lexuesi amator të filmit që priren t’i bëjnë një lexim filozofik Bunjuelit. Megjithatë, filmografia e Bunjuelit na e sjell përmes ironisë, cinizmit, humorit e sarkazmës idiosinkratike në totalitetin e vet kotësinë e zbrazëtinë e jetës mondane. Na sjell paradokset e vetë kapitalizmit dhe ideologjisë e klasës borgjeze.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s